Njoftime për Shtyp

Kryeprokurorja znj.Arta Marku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të Parisit

Kryeprokurorja znj.Arta Marku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të Parisit

Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku mori pjesë në ceremonitë e 10-vjetorit të Rrjetit të Prokurorëve Publikë, ose institucioneve ekuivalente të Gjykatave Supreme të vendeve të Bashkimit Evropian, i njohur si “Rrjeti Nadal”.

Ftesa për znj.Marku u dërgua nga z.Jean-Claude Marin, Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Kasacionit të Francës dhe kryetar i “Rrjetit Nadal”.

Ceremonitë u zhvilluan ndërmjet datave 16-18 maj 2018 në Gjykatën e Kasacionit në Paris, në prani të ministrit të Drejtësisë së Francës znj.Nicole Belloubet.

Shqipëria nëpërmjet zonjës Marku si Prokuror i Përgjithshëm mori pjesë për herë të parë në takimet e “Rrjetit Nadal”.

Shqipërisë iu dha gjithashtu për herë të parë statusi i vëzhguesit, që e mbante Moldavia dhe Serbia.

Pjesëmarrësit u takuan fillimisht në pritjen zyrtare të mirëseardhjes në Shtëpinë e Urdhrit “Legion d’Honeur” mbrëmjen e 16 majit.

Takimet e punës u zhvilluan te Gjykata e Kasacionit prej mëngjesit të 17 majit deri pasdreken e 18 majit 2018.

Zonja Marku zhvilloi takime me homologë dhe titullarë përfaqësues të institucioneve të barazvlefshme të vendeve të Bashkimit Europian.

Tema kryesore e sesionit plenar ishte: “10 vjet të Europës në fushën juridike, progresi, pritshmëria dhe prospekti”.