Njoftime për Shtyp

Kryetari i Bashkisë Vlorë merret i pandehur për fallsifikimin e lejeve të ndërtimit

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj 8 të pandehurve, ndër të cilët edhe për Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, të gjithë të akuzuar për veprat penale të “fallsifikimit të dokumentave” dhe “ndërtim të paligjshëm”. 

Pas një hetimi, të nisur në shkurt 2013, prokuroria e Vlorës arriti të provonte se i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010.

Këto dokumenta, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumenta sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.

Në bazë të të dhënave të rreme, të prodhuara nga të pandehurit, është dhënë leje ndërtimi:
-për kompleks banimi dhe shërbimi 13-kate me parkim nëntokë me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj.  Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm, ndodhet në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”, Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.

Po ashtu, në bazë të të dhënave të rreme, është dhënë leje ndërtimi:
- për një godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papagingo, me një kat nëntokë, në lagjen Pavarësia, me pronar trualli të pandehurin Gëzim Feta e subjekt ndërtues EN-BJO sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj. Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në lagjen “Pavarësia”, brenda territorit të Portit Detar Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.

Sa më sipër, të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i dokumentave”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal.

Të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “falsifikimi i dokumentave” dhe “ndërtimi i paligjshëm” të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 186/1, 199/a/1 e 25 të K.Penal. Ndërsa, të pandehurit Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “ndërtimi i paligjshëm” të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të K.Penal.

Ndërkohë, Prokuroria e Vlorës po vijon hetimin edhe për disa raste ndërtimesh të tjera të paligjshme, ku dyshohet se janë të përfshirë subjekte të ndryshëm ndërtues dhe drejtues të zyrës së ALUIZNI-t të këtij qyteti.

Tiranë më 27.10.2013