Njoftime për Shtyp

Ligji “Antimafia”, Prokuroria për Krime të Rënda, sekuestron hotel, apartamente dhe troje

Prokuroria për Krime të Rënda, në dy hetime pasurore të veçanta, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, ka vënë nën sekuestro një hotel në Sarandë, si edhe disa pasuri të tjera të paluajtshme në Durrës, Korçë dhe Berat.

I.
Prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar hotelin në funksion “Rezidenca President” në bregdetin e Sarandës, pasi ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se është ndërtuar nga paratë e siguruara prej aktivitetit kriminal në Belgjikë të shtetasit Gentian Ndreu.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pasuror në kuadër të ligjit “Antimafia”, pas kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve të Belgjikës. Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se hoteli është ndërtuar nga të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i “Shfrytëzimit të Prostitucionit”, për të cilin është hetuar në Liege (Belgjikë) shtetasi Gentian Ndreu. Bazuar në të dhënat e deritanishme, prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestros mbi këtë pasuri, gjë e cila u miratua nga Gjykata për Krime të Rënda.

Në bazë të të dhënave hetimore rezulton se shtetasi Gentian Ndreu është pjesë e një procedimi penale për “Shfrytëzim prostitucioni” në Belgjikë. Ai akuzohet nga Prokuroria e Liege se, në vitet 1999-2003, ka shfrytëzuar për prostitucion një shtetase shqiptare.
Nga hetimit pasuror, i kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda ndaj shtetasit Gentian Ndreu dhe familjarëve të tij, rezultoi se babai i tij, Osman Ndreu ka në pronësi hotelin në Sarandë.

Gjithashtu, rezulton se asnjë prej familjarëve Ndreu nuk ka pasur mundësi ekonomike të mjaftueshme për të ngritur ndërtesën e hotelit, si edhe për zhvilluar sipërmarrje të tillë ekonomike.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se hoteli është krijuar nga të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal në Belgjikë i shtetasit Gentian Ndreu.
Sa më sipër kjo  pasuri plotëson kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” (Antimafia), pasi
- së pari, pasuria është përfituar gjatë përfshirjes së  dyshuar të  shtetasit Gentian Ndreu .
- së dyti, kjo pasuri nuk i përgjigjet nivelit të të ardhurave të  shtetasve Gentjan Ndreu dhe Osman Ndreu.
- së treti, ekziston rreziku i humbjes apo tjetërsimit pasi subjektet mund të marrin dijeni për hetimin dhe të tjetërsojnë këto pasuri.

II.
Disa pasuri të paluajtshme, përfshirë apartament, dyqan dhe sipërfaqe toke arë, janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal në Belgjikë i shtetasve Selim Duzha nga Berati dhe Eugen Gengo nga Korça. Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila është duke kryer hetim pasuror ndaj këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre, në kuadër të ligjit të njohur si "Antimafia".
Shtetasit Duzha dhe Gengo janë shpallur fajtor dhe dënuar në Belgjikë, së bashku me disa të tjerë, pasi janë akuzuar se janë përfshirë në trafik dhe shpërndarje lëndësh narkotike në vitet 2013-2014.
Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin në bazë të kërkesës për ndihmë juridike nga ana e autoriteteve belge, të cilat kishin krijuar dyshimin se Duzha dhe Gengu kishin transferuar në Shqipëri të ardhura që kishin krijuar nga aktiviteti i tyre kriminal.
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të hetimeve të deritanishme, ka evidentuar disa pasuri të paluajtshme, për të cilat të dyshuarit dhe familjarët e tyre nuk kanë pasur mundësi reale për t’i krijuar me burime të ligjshme financiare.
Më konkretisht, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur nën sekuestro pasuritë, si vijon:

1. Pasuri në emër të familjarëve Duzha (Dule)
- apartament me sip. 75 m2 në Plazh, Durrës
- njësi tregtare (dyqan) në Plazh, Durrës
- tokë arë, me sip. 420 m2 në Berat

2. Pasuri në emër të familjarëve Gengo
- tokë arë, me sip. 1450 m2 në Plasë-Korçë
- tokë arë, me sip. 865 m2 në Plasë-Korçë
- tokë arë, me sip. 790 m2 në Plasë-Korçë
- një automjet tip Kamion "Man"
- një automjet tip "Jeep"

Në një prej pasurive të paluajtshme, familja Gengu ka si seli edhe një shoqëri transporti, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR).