Njoftime për Shtyp

Llalla: Mbështetje në Këshillin e Prokurorisë për forcimin e besimit të publikut

Promovimet dhe emërimet në pozicione drejtuese në organin e Prokurorisë do të realizohen vetëm në bazë të meritave dhe në konsultim të vazhdueshëm me Këshillin e Prokurorisë, një organ i parashikuar në ligj si bord këshillimor për Prokurorin e Përgjithshëm.

Ky do të jetë standarti i vetëm që do të aplikohet dhe për këtë Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla kërkoi bashkëpunimin e ngushtë të Këshillit të Prokurorisë, e drejtuar nga znj. Irma Balli, e cila është njëkohësisht edhe Drejtuese e Prokurorisë së Apelit Korçë.

Z. Llalla i prezantoi drejtueses së Këshillit të Prokurorisë prioritetet e tij përsa i përket promovimit dhe vlerësimit të punës së trupës së prokurorëve, nisma të cilat u mbështetën plotësisht edhe nga znj. Balli që nga ana e saj i shprehur mbështetjen e plotë të organizmit që drejton për forcimin e rolit të institucionit në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet njoftimit dhe aprovimit paraprak nga ana e Këshillit të Prokurorisë, ka realizuar dhe po vijon të realizojë disa ndryshime drejtuesish në prokuroritë e rretheve gjyqësore në Shqipëri, me qëllim rifreskimin dhe rivitalizimin e të gjithë strukturës.

Këshilli i Prokurorisë ka shprehur aprovimin e tij për komandimin e disa drejtuesve të rinj dhe është i angazhuar për vlerësimin e punës së tyre në vijimësi për të vendosur më pas nëse e meritojnë të vijojnë të mbajnë postet që u janë besuar përkohësisht.

Gjithashtu, Këshilli i Prokurorisë mbështet nismën e Prokurorit të Përgjithshëm për sistemin e konkursit brenda institucionit për karrierën e prokurorëve, duke e cilësuar si një mekanizëm shumë efikas për të promovuar vlerat më pozitive të organit të Prokurorisë.

 

Data: 01.02.2013