Njoftime për Shtyp

Lufta kundër kriminalitetit në Vlorë kërkon impuls të fuqishëm

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon nga trupa e prokurorëve në qytetin e Vlorës që të jenë më sistematikë në goditjen e elementit kriminal. Paraqiten objektivat për vitin 2014
 
Të nderuar kolegë dhe të pranishëm
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka një specifikë të veçantë përsa i përket shtrirjes dhe larmisë së kriminalitetit.
Në territorin e qarkut të Vlorës konstatohen veprimtari kriminale e theksuar në disa drejtime, si: vepra penale kundër jetës, trafikut të lëndëve narkotike, abuzimit me pushtetin publik, ndërtimeve të paligjshme, vjedhjeve, kontrabandës,  etj.
Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të volumit të punës për këtë prokurori. Por nga ana tjetër, shtrirja e kësaj veprimtarie të ngjeshur kriminale krijon idenë se paligjshmëria në këtë qytet ka bllokuar punën e institucioneve.
Në fakt, pavarësisht problematikës së theksuar, organi i prokurorisë po vijon të funksionojë me intensitet të lartë në goditjen e krimit. Janë disa raste, sidomos në muajt dhe javët e fundit që e dëshmojnë efektivitetin e institucionit.
Disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat kanë tronditur opinionin publik, janë zbuluar edhe nga stafi i kësaj prokurorie. Janë dërguar para gjykatës zyrtarë të lartë që kanë abuzuar me vendimmarrjen për ndërtimet.
Gjithashtu, janë sekuestruar ndërtesa dhe troje, të cilat janë ngritur në kushtet e paligjshmërisë.
Gjithësesi, duhet pranuar se aktiviteti i prokurorisë nuk ka qenë i njëtrajtshëm gjatë të gjithë vitit.
Nga analiza e situatës në këtë prokurori, rezulton në total se ka një ulje të ritmit, krahasuar me një vit më parë. Ka më shumë çështje të pezulluara dhe më pak raste të dërguara në gjykatë.
Në radhë të parë, këto shifra, që përbëjnë statistikën vjetore të aktivitetit institucional, janë pasojë e neglizhencës së stafit të prokurorisë. Por nga ana tjetër, edhe të lëvizjeve të shpeshta në strukturat e oficerëve të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit. Në muajt e fundit të vitit 2013, krahas frymës së re drejtuese në prokurorisë në Vlorë, vërehet një konsolidim i strukturave policore. Këto dy faktorë kanë ndikuar pozitivisht edhe në rezultatet konkrete kundër kriminalitetit.
Duke qëndruar tek problematika, konstatohet nivel i ulët në hetimet paraprake në një pjesë të konsiderueshme të  çështjeve. Kjo ka ndikuar që edhe në vijim, hetimi të ketë qenë nën pritshmërinë e kërkuar. Për këto raste, përgjegjës janë si oficerët e policisë gjyqësore pranë prokurorisë, ashtu edhe prokurorët që i drejtojnë veprimet e tyre.
Këto konkluzione janë nxjerrë edhe nga Prokuroria e Apelit. Në raportin e saj vjetor, tërhiqet vëmendja për përkushtim më të madh nga ana e prokurorëve të shkallës së parë për hetime më të plota.
Gjithësesi, vërehet se në muajt e fundit është intensifikuar koordinimi ndërmjet Prokurorisë së Rrethit dhe asaj të Apelit. Ky komunikim duhet forcuar, për të rritur ndjeshëm cilësinë e materialeve që i referohen gjykatës.
Duhet të ndalem në mënyrë të veçantë tek puna e Njësisë Task-Force kundër korrupsionit. Kjo strukturë ka marrë vlerësimet dhe mbështetjen e Prokurorisë së Përgjithshme për një ndër çështjet më sensitive të opinionit publik. Për herë të parë, u arrit që një drejtues i lartë lokal në këtë qytet të dërgohet para gjykatës për shpërdorim detyre. Gjithashtu, nga puna e kësaj njësie është arritur të vendosen nën sekuestro preventive disa ndërtesa dhe troje, të krijuara në kushtet e paligjshmërisë.
Megjithatë, kemi bindjen se kjo Njësi ka nevojë për më shumë ritëm. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shumë struktura lokale janë të përfshira në veprimtari antiligjore me pushtetin publik. Në Vlorë, abuzimi me detyrën është i shtrirë në shumë institucione, gjë e cila dikton prokurorinë të forcojë luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, nga Njësia Task-Force kërkohet intensifikimi i raporteve me institucionet e tjera që janë pjesë e strategjisë antikorrupsion. Konstatohet se për vitin 2013, nga disa agjenci nuk ka asnjë referim për korrupsion, ndërsa nga disa të tjera ulje e ndjeshme e kallëzimeve. Për këtë arsye, kërkohet nga prokuroria e Vlorës që të forcojë rolin e saj dhe të kërkoj llogari edhe nga agjencitë bashkëpunuese. Në çdo rast që do të konstatohet neglizhencë në përcjelljen e informacioneve, të niset procedim penal për çdo zyrtar që ka për detyrë të referojë materiale dhe që me vetëdije i shmanget këtij detyrimi.
Përsa i përket Prokurorisë së Apelit, po ritheksoj të njëjtin mesazh që kam përcjell edhe në qytete të tjera. Ju jeni ata që kontrolloni në radhë të parë punën e prokurorëve të shkallës së parë. Duhet të mbështesni aktivitetin e prokurorisë së rrethit dhe duhet të diskutoni me ta paraprakisht për çdo vendimmarrje. Nuk duhet të ekzistojë më praktika që prokuroritë e apelit kritikojnë prokuroritë e rretheve apo anasjelltas. Për periudhën në vijim, përgjegjësia për rastet problematike do të jetë e përbashkët. Për këtë arsye, ju sugjeroj të forconi koordinimin, me qëllim përfaqësimin sa më dinjitoz para gjykatës dhe opinionit publik.


 Data 14.02.2014