Njoftime për Shtyp

Masë “arrest me burg” për ish-drejtuesin e prokurorisë Pukë dhe 5 persona të tjerë

Pas hetimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ekzekutohen urdhër-arrestet për 6 shtetas, të përfshirë në vepra penale në fushën e drejtësisë.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor e kryeqytetit ka urdhëruar masën e sigurisë “arrest me burg” për disa shtetas, përfshirë edhe ish-drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, të akuzuar për vepra penale në fushën e drejtësisë. Urdhëri i gjykatës është zbatuar plotësisht mesditën e së dielës (08.12.2013) nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Nga hetimi tejet intensiv i Njësisë Task-Force të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka nisur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, pas pamjeve të dhëna pak ditë më parë në emisionin “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, është arritur të provohet se disa prej personave të përfshirë në pamjet filmike, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në kundërshtim me disa përcaktime ligjore. Më konkrekisht:
 
1. Akuzohen për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 319 të Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë ”, shtetasit;
Pëllumb Prençi, me funksion drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë
Meliha Kukaj, ish-kancelare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë
Liljana Shkjau, ish-sekretare, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë
2. Akuzohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 300 të Kodit Penal, “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi;
Fran Dashi, me funksion avokat
3. Akuzohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 143 dhe 245/1/2 të Kodit Penal, “Mashtrimi” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik”, shtetasi;
Dëfrim Prençi
4. Akuzohet për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 245/1/2 të Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publik”, shtetasi;
Fariz Xhurxhi, me funksion avokat
Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon hetimi për të sqaruar pozicionin e saktë dhe përgjegjësitë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë vepër të dyshuar korruptive.

Tiranë më 08.12.2013