Njoftime për Shtyp

Masë “arresti në burg” për disa persona të dyshuar për vendosje tritoli në Tiranë

Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura në bazë të materialit të referuar dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol ose të mbetura në tentativë, ngjarje të ndodhura në datë 10.02.2015 në Tiranë.

Në bazë të akteve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar se, të paktën 7 shtetas, dyshohet se kanë rol në këto veprime, të cilësuara në Kodin Penal Shqiptar si “veprime me qëllime terroriste”.

Prokuroria Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë kryer veprime intensive që në momentin e ndodhjes së ngjarjeve për të zbuluar autorët. Pak ditë më parë, edhe Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, u shpreh gjatë një takimi në Shkodër se “Prokuroria, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese po punojnë dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete…”.

Në vijim të hetimeve, në datë 25.02.2015, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”,  për veprat penale “Veprave me qëllime terroriste” , “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenei 230, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal, për shtetasit;

1. Lumjan (Emiljano) Matmuja, dtl. 1988, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
2. Ernest Gjuta, dtl. 1991 (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
3. Kamber Bruka, dtl.1984, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
4. Erjon Dule, dtl.1982, (ekzekutuar vendimi i gjykatës nga Policia)
5. Emirjon Gjuta, dtl.1991 (ky shtetas gjendej deri ditën e djeshme nën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat, i dyshuar fillimisht për veprën penale të “veprimeve që pengojnë hetimin”)
6. V. Gj.  Shpallur në kërkim
7. B. B. Shpallur në kërkim

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, dyshohet se kanë kryer përgatitjen, vendosjen dhe shpërthimin e pajisjeve bombë të  telekomanduara me celular në farmacinë e shtetasit B.T, si dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në stacionin e autobuzëve në Rrugën “Muhamet Gjollesha”.    

Prokuroria për Krime të Rënda po vijon hetimet për dokumentuar plotësisht dyshimet mbi veprimtarinë kriminale të këtyre personave.