Njoftime për Shtyp

Mbi ekzekutimin e letër-porosisë së autoriteteve italiane për sekuestrimin e anijes “Norman Atlantic”

Prokuroria Shqiptare po krijon të gjithë lehtësirat e nevojshme proceduriale për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve gjyqësore italiane që kanë nisur hetimin pas avarisë së rëndë në bordin e anijes “Norman Atlantic”, si pasojë e së cilës është konfirmuar zyrtarisht vdekja e 10 personave, Aktualisht, anija, e cila ka humbur drejtimin teknik, gjendet në ujërat territoriale shqiptare.

Autoritetet gjyqësore italiane kanë juridiksionin për hetimin e kësaj çështje, në bazë të “Konventës mbi të Drejtën e Detit” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e pranuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr. 9055, dt. 24.04.2003. Konkretisht, në nenin 97 të ligjit nr.9055, përcaktohet se “Në rast të përplasjeve ose ndonjë incidenti tjetër gjatë lundrimit në lidhje me një anije në detërat e hapur dhe që përfshin me përgjegjësi juridike ose disiplinore kapitenin ose persona të tjerë me shërbim në anije, mund të mos ngrihen as procedura penale dhe as disiplinore kundrejt personave të tillë, me përjashtim të autoriteteve gjyqësore dhe administrative të shtetit flamurin e të cilit mban anija, ose të shtetit ku një person i tillë është qytetar”.

Gjithashtu, në nenin 94 të të njëjtin ligj, përcaktohet, ndër të tjera se “…Shteti i flamurit dhe shteti tjetër do të bashkëpunojnë në udhëheqjen e çdo hetimi të mbajtur nga ky shtet tjetër (i flamurit) për çdo avari detare të tillë ose incident të lundrimit.

Nga ana e autoriteteve italiane, përkatësisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Barit, është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë në datën 29.12.2014 një kërkesë për ndihmë juridike, me objekt sekuestrimin e anijes “Norman – Atlantic” dhe të të gjitha pajisjeve që ndodhen në të, si dhe kryerjen e një sërë veprimesh të tjera hetimore. Kjo kërkesë bazohet në faktin se, sipas informacionit zyrtar të mbërritur nga autoritetet gjyqësore italiane, anija ka flamur italian dhe kapiteni i saj është shtetas italian.

Sot më datë 30.12.2014 po merren të gjitha masat për ekzekutimin e kësaj letër-porosie nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.