Njoftime për Shtyp

Mbi zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Tiranë, 05.01.2021. Në vijim të procedurës së shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, e shpallur nga Prokurori i Përgjithshëm në dt.23.12.2020 bazuar në ligjin 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në përfundim të afatit të përcaktuar, datë 31.12.2020, kanë shprehur interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar 5 prokurorë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm si më poshtë:

• Z. Moisi Duda, prokuror, Prokuroria e Apelit, Durrës;                     
• Z. Zeqir Hoda, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë;
• Znj. Eloida Goxhi, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat; 
• Z. Albert Kuliçi, prokuror,  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë;
• Znj. Elona Alvora, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë.  

Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme po merren të gjitha masat që organizimi i mbledhjes së prokurorëve dhe e gjithë procedura e votimit për anëtarët e KLP-së të zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, duke shmangur përhapjen e COVID-19. 

Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar paraprakisht Komitetit Teknik të Ekspertëve për të miratuar organizimin e mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve në mjediset e Pallatit të Kongreseve me një kapacitet optimal për zhvillimin e mbledhjes. Pas marrjes së miratimit nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të caktohet menjëherë data e zhvillimit të mbledhjes për të zgjedhur anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.