Njoftime për Shtyp

Mbledhja e Prokurorëve zgjedh anëtarin e Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, drejton mbledhjen e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Krahas votimit për zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Shkollës së Magjistraturës, z. Llalla paraqet disa qëndrime mbi aktivitetin e deritanishëm të institucionit

Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi anëtarin e Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, referuar ligjit nr.97/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8136, dt. 31.07.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”. gjatë mbledhjes u paraqitën nga trupa e prokurorëve dy kandidatura, konkretisht Rovena Gashi, Prokurore në Prokrurorinë e Përgjithshme dhe Dritan Rreshka, Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në votim morën pjesë 222 prokurë nga e gjithë Shqipëria, në përfundim të të cilit u shpall fitues z. Dritan Rreshka, me 120 vota, kundrejt 88 votave që mori znj. Rovena Gashi. Ndërsa 14 vota u shpallën të pavlefshme.
Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve u drejtua nga Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i cili prezantoi disa qëndrime mbi punën e deritanishme të institucionit, si edhe problematikat e hasura.

Më poshtë është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm,
z. Adriatik Llalla në këtë aktivitet:

Sot kemi organizuar këtë mbledhje të përgjithshme të prokurorëve të Republikës me qëllim për të zgjedhur mes jush një prej anëtarëve të Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Kjo mënyrë zgjedhje bëhet pas ndryshimeve të fundit që iu bënë ligjit “Për shkollën e Magjistraturës”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin Shtator të këtij viti. Ky ligj parashikon që brenda muajit nga hyrja në fuqi e tij, mbledhja e përgjithshme e prokurorëve të Republikës zgjedh prej saj një anëtar të bordit drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Proçedura e zgjedhjes së këtij anëtari është thuajse e njëjtë me mënyrën e votimit për anëtar të Këshillit të Prokurorisë. Ajo që do të sugjeroja është që të përzgjedhim mes nesh një kandidaturë me integritet të lartë moral e profesional, me njohuri të thelluara dhe pjesëmarrje aktive në jetën akademike të kësaj shkolle, me qëllim që të përfaqësojë denjësisht institucionin tonë pranë saj, ku  përgatiten prokurorët e gjyqtarët e ardhshëm. Jam i bindur se kandidatura të tilla nuk na mungojnë.
Duke përfitur nga ky takim, vlerësoj të nevojshshme të prezantoj para jush disa prej prioriteteve tona institucionale si dhe problematikave të konstatura në punën tonë.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vijojë të jetë një prej prioriteteve kryesore të punës sonë. Është shumë e nevojshme që hetimet të kryhen me seriozitet maksimal dhe duke respektuar afatet ligjore, për të vënë para përgjegjësisë ligjore këdoqë kryen veprime të tilla. Rezultatet në këtë drejtim kanë qënë të dukshme, por ende larg pritshmërisërisë së opinionit publik i cili vuan përditë nga këto fenomene.

Njësitë e Përbashkëta Hetimore duhet të kenë një rol më të madh në hetimin e këtyre rasteve, si edhe për bashkërendimin e punës me institucionet e tjera. Këto njësi trajtohen në mënyrë të posaçme si në nivel page, trajnime etj. me qëllim për të qënë më aktive në punën e tyre.
Një rol edhe më të rëndësishëm duhet të marrë në vijim Njësia Hetimore e ngritur pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Ligjvënësi ka ngarkuar këtë prokurori për hetimin e rasteve të korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve e të zgjedhurve lokalë. Gjatë kësaj periudhe ka pasur rezultate konkrete në hetimin dhe dërgimin për gjykim të disa rasteve të tilla.

Një ndër problematikat me të cilat po ndeshet sot shteti është kostoja e lartë që duhet të paguajë për shkak të paligjshmërisë në veprimet e shumë agjencive të ALUIZNI-it, të cilat kanë legalizuar objekte në pronë publike apo të personave të tjerë. Këto raste duhet të hetohen në një kohë sa më të shpejtë dhe të kërkohet dënimi i shkelësve të ligjit.
Gjej rastin të shpreh vlerësim tim të veçantë për të gjithë ju që po përballoni volumin në rritje të punës. Vlerësime të veçanta meritojnë prokuroria e Gjirokastrës dhe e Shkodrës në hetimin e rasteve të lëndëve narkotike të kultivuara në këto zona.

Gjithashtu vlerësoj punën e prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda në hetimin e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike dhe të organizatave kriminale që merren me këto aktivitete të kundraligjshme. Po ashtu, edhe për hetimin e rrjetit të rekrutimit të shtetasve të ndryshëm për të luftuar në Siri, duke e bërë që ky fenomen anntinjerëzor të parandalohej, si edhe duke e renditur vendin tonë ndër vendet më kontribuese për parandalimin e tij.

Vlerësoj qëndrimin dinjitoz të prokurorëve në gjykatë përballë të pandehurve të akuzuar për vepra të rënda penale. Edhe pse këta të pandehur, në mjaft raste,  krahas statusit të pandehurit, vijonë të mbajnë edhe atë të drejtuesve lokalë apo funksione të tjera publike.
Po kështu, një punë për t’u vlerësuar kryhet nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, ku do të veçoja punën profesionale të kryer nga prokurorët e Drejtorisë së Inspektimit, gjatë kontrolleve që ata kryejnë. Kontrolle të cilat tani po kryhen në disa prokurori apeli dhe do të vijoj në të gjitha prokuroritë e vendit.

Dua të vlerësoj këtu punën e mirë të bërë nga Këshilli i Prokurorisë në trajtimin e mjaft rasteve që ka pasur në shqyrtim dhe nxis këtë këshill që të vijoj të përmbush në mënyrë korrekte detyrimet e tij ligjore.
Por nga ana tjetër, duhen përmendur edhe rastet që ndikojnë negativisht në imazhin e institucionit tonë. Në këtë aspekt, në disa prokurori lokale është konstatuar mungesë e theksuar e disiplinës në punë, në  organizim dhe  funksionim, etj. Apo, edhe rastin e turpshëm e të dënueshëm të ndodhur në Prokurorinë e Pukës, për të cilin të gjithë jemi në dijeni. Dhe ai ish-prokuror e drejtues prokurorie tani ndodhet në bankën e të akuzuarit.
Është fakt tashmë që ka një rritje të ndjeshme të volumit të punës. Pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm është bërë evident ky fakt nga thuajse të gjitha strukturat e prokurorisë. Por ky volum mund të përballohet me përkushtim më të madh nga trupa e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Konstatohet se prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore në prokurori të ndryshme kalojnë ditën e punës duke kryer veprime minimale ose burokratike dhe më pas i paraqesin si ngarkesë të shtuar në punë.
Për të kuptuar realisht efikasitetin në punë të çdo punonjësi, Prokuroria e Përgjithshme ka përgatitur dhe do të shpërndajë një formular, në të cilën prokurorët dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore do të regjistrojnë çdo ditë veprimet që kryhen në kuadër të proçedimeve penale.

Formulari do të jetë objekt kontrolli dhe vlerësimi  për çdo prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Ky projekt  i paraprin aplikimit të Sistemit të Menaxhimit të Rasteve që fillon në janar 2015.
Nga ana tjetër, ky sistem do të ndikojë në rritjen e kontrollit mbi prokuroritë lokale. Vlerësohet se është e domosdoshme kjo rritje kontrolli, pasi konstatohet një lirshmëri e tepruar në disa prokurori të nivelit bazë, por edhe të Apelit. Prokuroria e Përgjithshme do të mbajë rekorde të plota mbi numrin e vendimeve të shfuqizimit nga gjykata apo nga prokurori më i lartë, të cilat do të jenë pjesë e sistemit të vlerësimit vjetor të prokurorëve.

Në kuadër të kontrollit, Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë inspektime në disa prokurori Apeli dhe do të shtrijë këtë aktivitet në të gjitha prokuroritë e Apeleve dhe në rrethe. Ky mekanizëm që ka struktura eprore do të shërbejë për evidentimin e problemeve dhe përmirësimin e mëtejshëm të punës sonë.

Duke qëndruar tek efektiviteti në punë, konstatohet një rritje e ndjeshme e kërkesave për interceptime, duke e shndërruar në disa raste si mjetin e vetëm të kërkimit të provës. Duhet kuptuar nga të gjithë se ky nuk është mjeti i vetëm, por, për më tepër, është mjeti i fundit i kërkimit të provës.
Së fundi, dua t’ju njoftoj se një grup i zgjeruar prokurorësh dhe oficerësh të Policisë Gjyqësor do të shkojnë për një trajnim dy-javor në Hagë me mbështetjen e Ambasadës së Mbretësisë së Hollandës në Tiranë.
Për këtë arsye, në takimin e sotëm është edhe zëvendës ambasadori, z. Versluis, i cili është angazhuar për realizimin e turit të trajnimeve për “Metodat e investigimit në hetimet penale”.

Në emër Tuaj, falenderoj Ambasadën Hollandeze dhe nëpërmjet saj edhe shtetin hollandez, për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Prokurorisë Shqiptare në forcimin e kapaciteteve profesionale.
Gjithashtu, falenderojmë për pjesëmarrjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme edhe Misionin OPDAT dhe PAMECA, përfaqësues të së cilave ndodhen sot këtu.

 Data 03.10.2014