Njoftime për Shtyp

Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve, votohet për anëtarin e Këshillit të Prokurorisë

Trupa e prokurorëve zgjedh një anëtar të Këshillit të Prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton “Rregullat e sjelljes dhe etikës së Prokurorëve”, dokument i sapomiratuar, i cili normon sanksione disiplinore në rast se nuk respektohet nga stafi i prokurorisë.

Nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, u zhvillua mbledhja e përgjithshme e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në të cilën u prezantuan “Rregullat e sjelljes dhe etikës së Prokurorëve”, një dokument që përmban norma të detyrueshme për t’u zbatuar nga i gjithë stafi i prokurorisë, si edhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit të Prokurorisë.
Në bazë të ligjit, anëtari i Këshillit të Prokurorisë zgjidhet nga votimi i të gjithë trupës së prokurorëve. Në këtë votim morën pjesë prokurorë nga të gjitha rrethet gjyqësore në Shqipëri, përveç atyre që janë të gatshëm; prokurorët që kanë pasur séance për masa sigurie, si edhe prokurorët që po ndjekin veprimet në terren në zonën e Lazaratit.

Gjatë mbledhjes u paraqitën, në bazë të kërkesave të ligjit, dy kandidatura për Këshillin e Prokurorisë, të dy nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, konkretisht: Petrit Fusha dhe Apostol Prifti.
Në përfundim të votimit, trupa e prokurorëve zgjodhi anëtar të Këshillit të Prokurorisë z. Petrit Fusha, i cili mori 151 vota nga 194 të vlefshme, ndërsa kandidati tjetër, z. Apostol Prifti, mori 43 vota.
Para nisjes së procedurës së votimit, takimi u përshëndet nga Prokurori I Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, si edhe nga zyrtari i lartë i OPDAT-it, z. David Greis.

Në fjalën e tij, z. Llalla u shpreh:
“Fillimisht, dua të shpreh se ekzistojnë vlerësime pozitive në përgjithsësi për aktivitetin e deritanishëm të punës së prokurorisë. Nga statistikat që përpunohen në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se ka një volum gjithnjë e në rritje të punës së institucionit. Po ashtu, ka edhe një shtim cilësor të hetimeve dhe të përfaqësimit të akuzës në gjykatë.

Nga ana tjetër duhet theksuar fakti se, pavarësisht se numri i proçedimeve penale thuajse është trefishuar krahasuar me 10 vite më parë, numri i prokurorëve që i trajton ato ka mbetur i njëjti. Kjo situatë ndikon drejtëpërdrejtë si në ritmin edhe cilësinë e hetimeve, të cilat natyrisht duhet të jenë në nivel më të lartë.
Prokurori i Përgjithshëm është i angazhuar personalisht, si edhe nëpërmjet strukturës, për të nxitur organet vendimmarrëse në shtimin e numrit të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim përmirësimin e shpejtësisë së hetimeve. Besojmë se kemi gjetur konsensusin në këtë drejtim dhe jemi të bindur se kjo do të ndikojë pozitivisht në aktivitetin e mëtejshëm të punës së prokurorisë.

Gjithashtu, dua t’ju paraqes vlerësimin pozitiv që iu dha organit të Prokurorisë nga Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë për aktivitetin e institucionit gjatë vitit 2013.
Kjo është natyrisht meritë e pjesës më të madhe të prokurorëve. Por nga ana tjetër, Kuvendi kërkon përmirësimin e mëtejshëm të punës sonë, gjë e cila na detyron të gjithëve të shtojmë ritmin dhe cilësinë e hetimit.

Në vija të përgjithshme, këto janë edhe kërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2014, ku në fokus do të vijojë të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke vijuar, po ndalemi tek dy prej çështjeve për të cilat jemi mbledhur sot :
Së pari: Tashmë Prokuroria Shqiptare ka një Rregullore të “Etikës dhe Sjelljes së Prokurorit”. Ky dokument vlerësohet shumë i rëndësishëm, pasi për herë të parë normon sjelljen e prokurorëve, si edhe parashikon sanksionet në rast të mosrespektimit të tyre. Shoqata e prokurorëve ka miratuar një rregullore për etikën, të cilës i mungon karakteri shtrëngues. Kjo ka bërë që ai dokument të mos respektohet në nivelin e kërkuar.

Gjithashtu, Rregullorja për Etikën ka edhe një risi të rëndësishme. Në të parashikohet krijimi i një strukture të posaçme, Inspektori i Etikës. Ky funksion ka rol këshillimor dhe shqyrtues paraprak për Prokurorin e Përgjithshëm. Gjithashtu, informon rast pas rasti për shkelje të etikës nga ana e prokurorëve dhe propozon nisjen e procedimit disiplinor.
Kodi i Etikës së Prokurorëve ka qënë dhe një ndër pikat kryesore të rekomandimeve të GRECO-s të paraqitur në Raportin e vlerësimit të Shqipërisë, në mars 2014.

GRECO ka konstatuar së në sistemin e prokurorisë nuk ka një kod sjellje të detyrueshme për të gjithë prokurorët, për aq kohë sa anëtarësia në Shoqatën e Prokurorëve është vullnetare. Duke vlerësuar rëndësinë që ka një kod sjelljeje, GRECO ka rekomanduar që standartet etike dhe profesionale të prokurorëve duhet të zbatohen detyrimisht nga të gjithë.

Rregullorja mbi etikën e prokurorëve është hartuar me asistencën e misionit OPDAT të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në emrin Tuaj, i shpreh falenderimet partnerëve tanë për mbështetjen në aspekte të ndryshme të aktivitetit të Prokurorisë. Gjithashtu, falenderojmë edhe zotin Devid Gris, i pranishëm sot këtu, për angazhimin maksimal të tij dhe ekspertëve të OPDAT-it në finalizimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm.

Së dyti: Trupa e prokurorëve sot do të zgjedhë anëtarin e Këshillit të Prokurorisë. Siç jeni në dijeni, një anëtar i këtij Këshilli, i zgjedhur në cilësinë e prokurorit pranë prokurorisë së rrethit gjyqësor, tashmë është Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.  Në bazë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, me ndryshimin e pozicionit të këtij anëtari, ai duhet zëvendësuar. Deri më tani, është respektuar parimi i vazhdimësisë së kryerjes së funksioneve nga ky anëtar i Këshillit.

Kjo, duke pasur parasysh edhe faktin se, në aspektin objektiv, mbledhja e përgjithshme e prokurorëve, e cila zgjedh anëtarin e Këshillit të Prokurorisë, ka vështirësitë e saj administrative. Duhet gjetur momenti optimal për të mbledhur të gjithë prokurorët e Shqipërisë, për shkak të dinamikës së lartë të punës sonë të përditshme.

Gjithësesi, sot jemi të gjithë këtu dhe besoj se do të dëshmoni nivelin e duhur për të zgjedhur nga radhët tona një prokuror me integritet të lartë për të qenë pjesë e Këshillit të Prokurorisë.
Kjo strukturë, pavarësisht se ka funksione këshillimore, në fakt është një filtër shumë i rëndësishëm për vendimmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Në veprimtarinë e time gjatë kohës që drejtoj institucionin, vlerësoj se propozimet e Këshillit të Prokurorisë kanë dëshmuar seriozitet maksimal. Për këtë, e shoh me vend të shpreh falenderimet për bashkëpunimin e deritanishëm.
Po ashtu, e garantoj Këshillin se Prokurori i Përgjithshëm do të vijojë të mbështetës maksimalisht punën tij.

Këto janë çështjet themelore për të cilën jemi mbledhur sot. Por, natyrisht, jam i sigurt se kemi edhe shumë të tjera për të diskutuar. Për këtë arsye, ju nxis që të jeni aktivë në paraqitjen e problematikave. 
Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve është vendi më i mirë për të diskutuar, si edhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve në aktivitetin tone”.                 

Data 20.06.2014