Njoftime për Shtyp

Ministri Balla takim me Prokurorin e Përgjithshëm Çela: Revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela. Në fokus të takimit, ku morën pjesë edhe drejtues të lartë të Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, ishte vlerësimi i ecurisë së punës së deritanishme të strukturave të prokurorisë dhe policisë, koordinimi mes tyre dhe bashkërendimi i prioriteteve në goditjen e krimit.
Gjatë takimit, ministri Balla theksoi se revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.
Gjithashtu, ministri Balla vlerësoi rezultatet e arritura në goditjen e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në muajin shtator 2023, punën e kryer nga strukturat e policisë dhe prokurorisë në këtë drejtim si dhe shprehu vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit në këtë aspekt edhe gjatë vitit 2024, duke e konsideruar si çështje me prioritet maksimal. 

Gjithashtu, prej tij u prezantuan edhe disa aspekte të tjera prioritare për punën e Policisë së Shtetit për të cilat kërkohet mbështetje nga ana e prokurorisë. Mes të tjerash, gjatë takimit, ministri Balla theksoi rëndësinë e dy vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg në lidhje me çështjen e ‘21 Janarit’ si dhe çështjen Hysa ndaj Shqipërisë, lidhur me respektimin e standardeve në aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg” në fazën e hetimit dhe gjykimit.
Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Çela, vlerësoi nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional me Policinë e Shtetit dhe angazhimin maksimal të prokurorive, megjithë problemet që po has institucioni për shkak të mungesave në strukturë si rrjedhojë e procesit të rivlerësimit kalimtar. Ai u ndal në nevojën për të harmonizuar  prioritetet e luftës ndaj kriminalitetit përmes individualizimit më të mirë të tyre, në kuadër të rekomandimeve për luftën ndaj kriminalietit që çdo vit Këshilli i Ministrave i përcjell prokurorisë.

Gjithashtu, ai vuri theksin mbi nevojën për të përmirësuar punën në drejtim të ecurisë së procesit të dekriminalizimit, duke u fokusuar në përdorimin më efikas të kanaleve të komunikimit që ka Policia e Shtetit për marrjen e të dhënave të nevojshme nga partnerët ndërkombëtarë. Mes të tjerash, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi një kujdes të shtuar nga ana e Policisë së Shtetit sa i përket respektimit të të drejtave procedurale të shtetasve në rastet e sekuestrimeve të mjeteve të personave që drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt, për të evituar kostot e panevojshme për qytetarët dhe për shtetin.

Në takim u ra dakord për të përpunuar një plan veprimi sa i përket edhe përballjes me fenomene të reja kriminale si rrjedhojë e përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale për kryerjen e krimeve të ndryshme, ku u vlerësua si shumë shqetësuese prekja masive prej tyre e personave të mitur.
Dy institucionet u angazhuan gjithashtu edhe për marrjen e një sërë masash të përbashkëta në drejtim të koordinimit më të mirë të të dhënave që lidhen me shpalljen dhe heqjen nga kërkimi ndërkombëtar të shtetasve shqiptarë.