Njoftime për Shtyp

Njësi Task-Force në Elbasan, impuls luftës antikorrupsion

Prokurori i Përgjithshëm merr pjesë në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe prezanton projektin e ri për ngritjen e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës
 
Të nderuar kolegë dhe të pranishëm
I nderuar z. Gris, bashkëpunëtor i ynë i Zyrës së OPDAT-it


Gjatë vitit 2013, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka përballuar një volum më të lartë çështjesh, krahasuar me një vit më parë. Kjo tendencë vihet re në përgjithësi në të gjithë prokuroritë e rretheve në Shqipëri. Rol kryesor në këtë situatë është fakti i impenjimit më të madh të vetë institucionit tonë. Nga ana tjetër, është edhe angazhim më i madh i institucioneve të tjera në referimin e veprave penale pranë prokurorisë.
Fillimisht, e gjej me vend të vlerësoj bashkëpunimin që prokuroria e Elbasanit ka me Policinë e Shtetit dhe me gjykatën e rrethit gjyqësor. Lufta kundër kriminalitetit ka në thelb të saj bashkëpunimin ndërinstitucional. Rasti i Elbasanit është për t’u vlerësuar në këtë drejtim.
Nga statistikat, konstatohet se prej trupës së prokurorëve është bërë një punë e mirë në drejtim të hetimit dhe paraqitjes së çështjeve në gjykim. Prania e prokurorëve në vendngjarje ka qenë më e madhe. Kjo ka ndikuar në orientimin më të drejtë të punës së oficerëve të policisë gjyqësore. Ky angazhim ka dhënë rezultatet edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku në përgjithësi janë pranuar nga gjykatat kërkesat e prokurorëve.
Megjithatë, vijon të konstatohet se hetimet nuk ecin në ritmin e duhur. Aktiviteti i prokurorisë është dinamik dhe për këtë arsye kërkohet impenjim më i madh në këtë drejtim.
Është konstatuar prania e rasteve kur, megjithëse hetimet nga ana e policisë së shtetit kanë qenë të paplota, prokurorët nuk janë treguar aktiv për të kërkuar llogari më të madhe. Janë raportuar situata kur prokurorë kanë pranuar të mirëqena veprimet e para policore, pa i analizuar si duhet ato në frymën e ligjit.
Gjithashtu, është evidentuar, në raste të veçanta, kur nuk është administruar si duhet informacioni i konsideruar “sekret” që ofrohet nga institucionet e inteligjencës.
Këto janë disa nga problematikat, të cilat kanë nevojë për përmirësim të menjëhershëm. Qarku i Elbasanit është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe problematika me kriminalitetin duhet konsideruar prioritare.
Për t’i dhënë një impuls më të madh aktivitetit tuaj, sot po prezantojmë krijimin e strukturës Task-Force kundër korrupsionit në prokurorinë tuaj.
Elbasani është një ndër qendrat kryesore ekonomike të vendit. Kjo ndikon edhe në shtimin e riskut të abuzimit me funksionet publike të zyrtarëve.
Për këtë arsye, në bashkëpunim edhe me zyrën e OPDAT-it të Ambasadës Amerikane vlerësuam rëndësinë e krijimit të kësaj strukture edhe këtu, në Elbasan.
Për këtë falenderojmë edhe z. Gris, që  është këtu sot, i cili është një ndër mbështetësit kryesor të Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force në prokurorinë shqiptare.
Prokurorët që do të jenë pjesë e kësaj strukture do të bazohen në praktikat më të mira hetimore të këtyre Njësive në prokuroritë e rretheve të tjera.
Nga ana tjetër, kanë të gjitha mundësitë të përmirësojnë të gjitha defektet e evidentuara nga të tjerët.
Në radhë të parë, prokurorët e Njësive Task-Force duhet të kuptojnë se nuk janë në garë me njëri-tjetrin, por duhet të jenë të orientuar vetëm tek ligji dhe kundër abuzimit nga funksionarët publikë.
Po ashtu, pjesëmarrja në këtë njësi është një përgjegjësi e madhe, por edhe një privilegj. Hetimet e kësaj njësie përfshijnë persona të veshur me pushtet publik, të cilët tentojnë të ndikojnë negativisht në hetime. Për këtë arsye, nga prokurorët kërkohet në radhë të parë integritet i lartë moral dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit.
Në shumë qarqe të vendit ka dyshime të arsyeshme se drejtues dhe funksionarë të lartë të institucioneve lokale përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga fondet publike. Një situatë shqetësuese po konstatohet, sidomos në përfitimin nga ndihma sociale. Është e patolerueshme dhe kërkoj prej jush të vendoset para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar, i cili merr atë që i takon shtresave në nevojë.
Ngritja e Njësisë Task-Force në Elbasan u vlerësua e domosdoshme, për faktin se është rritur ndjeshëm numri i rasteve të krimit ekonomik. Për këtë arsye, kërkohet një reagim më i shpejtë dhe më i saktë nga ana e prokurorisë. Këtë gjë besoj se do ta bëjnë më së miri prokurorët që do të jenë tashmë pjesë e kësaj strukture.
Ju faleminderit për vëmendjen.

 

Data 13.02.2014