Njoftime për Shtyp
Bashkëpunimi prokuror – koordinator i viktimave, rol thelbësor në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës dhe dhunës me bazë gjinore
Tiranë më 29 shtator 2021. Roli i koordinatorit të viktimave dhe mbështetja për punën e tyre, ishin në qendër të diskutimeve të zhvilluara sot në tryezën e rrumbullakët mes Prokurorisë së Përgjithshme, misionit OPDAT dhe ekspertëve të fushës.
Në nisje të aktivitetit Znj. Pranvera Pustina, prokurore, drejtore e kabinetit pranë Prokurorit të Përgjithshëm vlerësoi punën e deritanishme të Sektorit të Asistencës ndaj Subjekteve me Status të Posaçëm ku vetëm për periudhën janar- qershor 2021 është dhënë asistenca për 153 raste për viktima të veprave penale të ndryshme.
“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm për rolin tuaj gjithëpërfshirës, duke trajtuar me profesionalizëm subjektin me status të posacëm, veçanërisht kur ato janë pjese e grupit më vulnerabël të shoqërisë, si të miturit apo gratë e vajzat viktimë e dhunës, përdjekjes apo përdhunimit. Ju duhet të angazhoheni për të siguruar shmangjen e viktimizimit për herë të dytë, i cili mund të ndodhë nga autori apo nga aktorët e tjerë shtetërorë gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”- iu drejtua znj. Pustina Koordinatorëve të Viktimave, duke ritheksuar mbështetjen maksimale të institucionit të Prokurorisë për misionin e tyre për të siguruar respektimin e të drejtave të viktimave dhe dëshmitarëve të krimit në sistemin e drejtësisë.
Tryeza u përshëndet edhe nga znj. Michelle Lakomy, Këshilltare Ligjore Rezidente pranë misionit OPDAT, Ambasada e SHBA në Shqipëri. Koordinatorët e viktimave prezantuan disa histori suksesi që kanë trajtuar gjatë kësaj periudhe dhe diskutuan mbi prezantimin e Prokurores Federale të Selisë OPDAT znj. Chelsea Schinnour mbi rëndësinë e bashkëpunimit prokuror - koordinator për të patur një procedim penal të suksesshëm.