Njoftime për Shtyp

Njoftim për hapjen e procedurës së aplikimit të Kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas nenit 179, pika 6, e  Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për tre anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP),  mandati është përcaktuar tre vjeçar, me qëllim përtëritjen e pjesshme të këtij organi. Më datë 11 dhjetor 2019, janë zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve 6 anëtar, datë e cila përcakton momentin nga i cili fillon mandati i anëtarëve të këtij organi. Për rrjedhojë, data 11 dhjetor 2021 konsiderohet si data e përfundimit të mandatit respektiv për 3 anëtarët e KLP-së, sipas shortit të hedhur në momentin e krijimit të KLP-së.

Referuar rregullave ligjore që përcaktojnë zhvillimin e kësaj procedure të hollësishme, ndjekja e të gjithë fazave procedurale nevojitet të respektohet me përpikmëri, me qëllim përmbushjen detyrimit ligjor nga të gjitha organet kompetente të zgjedhjes së anëtarëve të rinj, jo më vonë se data 11 dhjetor 2021. Gjithashtu, bazuar në nenin 107 të ligjit 115/2016, jo më vonë se 4 muaj nga data e mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLP-së shpallet thirrja nga Prokurori i Përgjithshëm për paraqitjen e shprehjes së interesit nga prokurorët për anëtarë të KLP-së. Në zbatim të këtij detyrimi, Prokurori i Përgjithshëm me anë të këtij njoftimi publik shpall thirrjen për paraqitjen e kandidaturave për anëtarë të KLP-së, që duhet të plotësohen nga radhët e prokurorëve të të gjitha niveleve.

Sipas nenit 107, të ligjit 115/2016, afati ligjor fundor brenda të cilit duhet të shpallet thirrja për paraqitjen e interesit për anëtarë të KLP-së është data 11 gusht 2021. Ligji ka parashikuar ndjekjen e disa fazave procedurale edhe afateve konkrete, të cilat llogariten duke konsideruar datën 11 gusht 2021, si datë të fillimit të procedurave përkatëse. Meqenëse shpallja e thirrjes për shprehjen e interesit nuk mund të bëhet tej datës 11 gusht 2021, vlerësohet e arsyeshme që thirrja të bëhet më parë, me qëllim që të mos lihet në afatin fundor, si dhe duke qenë se për shkak të ligjit, muaji gusht është muaj i pushimeve vjetore në sistemin e drejtësisë. Me qëllim që kandidatët dhe organet përkatëse të kenë kohën e mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore, afati i paraqitjes së kandidaturave do të jetë data 3 shtator 2021.       

Administrata e Prokurorisë së Përgjithshme, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare. Vendimi për përjashtimin e kandidaturave bëhet nga Komisioni i Kualifikimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i cili përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe  dy prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Përgjithshme të caktuar me short. Kandidatët e përjashtuar nga Komisioni i Kualifikimit kanë të drejtë të ankohen brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.    
Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve të të gjithë niveleve, për zgjedhjen e kandidatëve, jo më vonë se 2 muaj para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve të KLP-së , sipas nenit 113 të ligjit 115/2016. Brenda 5 ditëve nga shpallja e vendimit në faqen zyrtare të institucioneve mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila vendos brenda 7 ditëve për rrëzimin e kërkesës ose për përsëritjen e zgjedhjeve. 

Bazuar në nenin 105, pika 2, të ligjit nr.115/2016, të ndryshuar, kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar; 
b) deklaratat individuale të prokurorëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht, sipas këtij formati;
c) formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas këtij formati:;
ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen; 
d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991, sipas këtij formati;
dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete; 
e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë të Prokurorisë miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni, sipas këtij formati;
ë) listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Përsa më sipër, ftojmë prokurorët nga radhët e prokurorive të të gjitha niveleve, përfshirë dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që plotësojnë kriteret sipas ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në adresën elektronike Enkeleida.Zotkaj@pp.gov.al, si dhe në adresën postare të Prokurorisë së Përgjithshme: Rruga Rr. Qemal Stafa, Nr.01, 1001, Tiranë.
Tiranë, më 22.07.2021