Njoftime për Shtyp

Nuk ka raste terrorizmi ndërkombëtar apo islamik në Shqipëri”

Intervistë e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z.Adriatik Llalla dhënë Radio Televizionit të Kosovës, të dy programeve të radios “Kosova” dhe të gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës


Bisedoi: Denion Ndrenika

-I nderuar zoti Prokuror i Përgjithshëm! Fillimisht u falenderoj për pranimin e ftesës dhe njëherazi kërkesës tonë për intervistë me Radio Televizionin e Kosovës, të dy programet e radios “Kosova” dhe të gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

-Adriatik Llalla: “U faleminderit Ju për intervistën”!

-Zoti Kryeprokuror, pyetja e përgjithshme dhe ajo që është me interes për të gjithë njerëzit, aq më tepër që Ju keni disa muaj, pra jo shumë kohë në këtë detyrë, është ecuria e punës në Prokurorinë e Përgjithshme. Ka pasur lëvizje, ka pasur ndryshime, rikthime në detyrë. Në tërësinë e tyre, a kanë përbërë problem të gjitha këto zhvillime, përfshi njohuritë që Ju keni marrë në takimet me prokurorët në rrethe?

-Adriatik Llalla: “Në muajt e parë të detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, kam prezantuar disa nga prioritetet e punës time përpara trupës së prokurorëve dhe opinionit publik. Një ndër prioritetet kryesore është rritja e besimit të publikut tek institucioni i prokurorisë. Kjo do të arrihet nëpërmjet përfshirjes në trupën e prokurorëve të personave të aftë profesionalisht dhe të pastër moralisht.
Gjatë kësaj periudhe konstatohet një rënie e theksuar e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Dhe, për këtë arsye, është shpallur prioritet pikërisht përmirësimi i imazhit të këtyre institucioneve përballë opinonit.
Gjatë kësaj periudhe janë inspektuar dhe kontrolluar prokuroritë e disa rretheve të Shqipërisë, ku janë konstatuar nga afër problematikat që hasen në punën e institucionit tonë; janë nxitur prokurorët që janë në pozicione të ndryshme, të qarkullojnë, të lëvizin nga pozicionet aktuale, me synimin krijimin e mundësive që në këto pozicione të vijnë drejtues të rinj, prokurorë të arsimuar në Shkollën e Magjistraturës apo në shkolla të tjera perëndimore. E gjitha kjo për faktin sepse tashmë krimi në Shqipëri, ashtu si kudo në botë, njeh një nivel tjetër të rritjes së tij, si për korrupsionin, ashtu edhe në rastin e krimit të organizuar, çka e bën të vështirë që ky lloj kriminaliteti të hetohet nga trupa e prokurorëve, të cilët janë të arsimuar përpara vitit ‘90.
Në këtë aspekt, është synuar që në drejtim të çdo njësie të Prokurorisë të jenë prokurorë që kanë përfunduar arsimimin pas viteve ‘90, kryesisht në perëndim dhe që njohin format e reja të hetimit.
Kurse, përsa i përket faktit të rikthimit në detyrë të disa prokurorëve. Janë vetëm 6 prokurorë që janë rikthyer në detyrë me vendim të Gjykatës së Apelit apo të Gjykatës së Lartë, çka është bërë pra në zbatim të këtyre vendimeve gjyqësore”.

-Kemi një raport të Këshillit të Europës zoti kryeprokuror, të miratuar për senatorin zviceran Dik Marti, pra me kërkesën e tij, për dyshime të ngritur për trafik organesh apo trafiqe të tjera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. A kemi ndonjë ecuri të hetimeve për këtë çështje zoti kryeprokuror?

-Adriatik Llalla: “Tashmë jemi të gjithë në dijeni të këtij fakti, që në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga autoritetet ndërkombëtare, janë kryer hetime nën mbikqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pra janë kryer nga hetues ndërkombëtarë. Prokuroria shqiptare në këtë rast u ka ofruar vetëm mbështetjen teknike dhe facilitetet (lehtësitë) e nevojshme hetuesve ndërkombëtarë që të kryejnë veprime verifikuese në territorin e vendit tonë. Me përfundimin e këtyre verifikimeve dhe kontrolleve, si dhe të hetimeve të kryera nga ana jonë, nuk rezultoi se ekzistonte një fakt i tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk u provua që të kishim as transplant të organeve, as trafikim të qenieve njerëzore, krime seksuale apo të tjera, për të cilat filluan këto hetime.
Edhe hetimi ndërkombëtar nuk ka rezultuar në ndonjë përfundim konkret”.

-Zotëri, qeveria e Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë për të qenë ndihmuese në këto hetime, për të cilat Ju sapo hetuat që e keni bërë, pra e keni ofruar këtë ndihmë. Nëse nuk gabojmë në kohë, rreth 3 vjet më parë Beogradi kërkoi hetime në territorin e Shqipërisë, një kërkesë që u refuzua me arsyetimin që nuk mund të kryheshin hetime (më saktësoni u lutem nëse jam i gabuar) në territorin e një vendi tjetër. A ka prirje, të vërejtura nga bisedimet e ndryshme që keni pasur Ju me partnerë, me homologë që Beogradi të bëjë përsëri një kërkesë edhe njëherë tjetër të kësaj natyre? Natyrisht zoti kryeprokuror, pa prekur elementët e hetimit.

-Adriatik Llalla: “Shqipëria është e hapur të lejojë kryerjen e çdo lloj kontrolli, çdo lloj hetimi ndërkombëtar në territorin e shtetit të saj nëse ato janë të miratuara nga organizatat ndërkombëtare, OKB-ja apo institucione të tjera të këtij niveli.
Ne nuk mund të lejojmë në territorin e Republikës së Shqipërisë, që të kryhen hetime nga një shtet tjetër pa miratimin e OKB-së.
Shqipëria është palë nënshkruese e disa konventave ndërkobëtare, në bazë të të cilave lejohet kryerja e hetimeve të përbashkëta në territorin e vendit tonë, ashtu siç ne kemi të drejtë të kryejmë hetime në territorin e një shteti tjetër, gjithnjë në bashkëpunim me autoritetet vendase.
Në rastin konkret, Beogradi kërkoi të kryente hetime me iniciativë në territorin e vendit tonë, pra ishte një hetim i njëanshëm, diçka nuk mund të lejohej jo vetëm për Beogradin, por as edhe për ndonjë shtet tjetër, pasi konsiderohet si e papranueshme. Pra, (përsërit) që nuk mund të lejohet, sepse konsiderohet ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Ky është parashikim i normave të të drejtës ndërkombëtare”!

-Zoti Llalla, në morinë e kësaj teme, me një sërë elementësh të nxjerrë, kujtojmë që nga Shqipëria ka pasur edhe ushtarakë edhe civilë që kanë ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. A mendoni se ka pasur një, unë po i vë emrin “dashakeqësi” për shkak të mosnjohjes së elementëve ligjorë nga pala tjetër, pra nënkuptoj palën serbe, për ta etiketuar këtë lëvizje, qoftë për ushtarakët shqiptarë, qoftë për civilët? A e keni ndeshur gjatë disktuimeve të këtyre temave, këtë çështje?

-Adriatik Llalla: “Ne nuk kemi të dhëna të kësaj natyre. Nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm konfirmoj se nuk ka hetime për raste të tilla ndaj qytetarëve shqiptarë’.

-Ju më thatë pak më parë zoti Kryeprokuror, se lufta kundër të organizuar mbetet veçanërisht e rëndësishme. Do të doja të shtoja, në kuadër të kësaj lufte ku hyjnë trafiqet, pra trafiqet e ndryshme të drogave, të prostitucionit, korrupsioni, pastrimi i parave, sekuestrimi i pasurive të krimit, natyrisht që shifrat mund të jenë gjithmonë domethënëse. Por, në frymën e përgjithshme të hetimeve mbi këto çështje, a keni vënë re përparësi apo pengesa dhe padyshim nëse mundeni, t’i trajtojmë?

- Adriatik Llalla: “Patjetër! Këto janë krime të përhapura jo vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, por pothuajse në të gjitha vendet e tjera. Ky është krimi më i përhapur i kohës. Veçanësisht në vendin tonë vlen të theksoj se vetëm në muajt e fundit, institucioni ynë ka kryer hetime të suksesshme në lidhje me krimin e organizuar, hetimin e disa organizatave kriminale, të cilat kanë arritur në konfiskimin e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme. Vetëm në tri muajt e fundit janë konfiskuar pasuri në vlerën e mbi 3 milionë eurove disa organizatave të ndryshme kriminale që merren kryesisht me trafikim të lëndëvë narkotike apo të qenieve njerëzore. Në këtë aspect, ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërkombëtar për hetimet me mjaft shtete të tjera për hetime dypalëshe apo shumëpalëshe, si në territorin e Shqipërisë, ashtu edhe të shteteve të tjera, duke kërkuar të dhëna respektive në lidhje me hetimet që kryhen në këto raste.
Po kështu problem shqetësues mbetet korrupsioni. Ne kemi filluar disa hetime lidhur me këtë fenomen. Kemi synuar të përmirësojmë teknikat e mëtejshme hetimit në këtë drejtim. Janë në proces dhjetëra raste dhe besoj që do të kemi shumë shpejt rezultate konkrete”.

-Më lejoni të vazhdoj në këtë linjë të përgjigjes Tuaj, zoti Kryeprokuror! Kemi pasur hetime edhe të pasurive të personave (pra në këto hetime që Ju përmendni), që mund të jenë grupe të dyshuar për terrorizëm apo për mbështetje të terrorizmit? Padyshim, këtu nuk bëhet fjalë thjesht për shoqatat me karakter fetar, ku ndokush mund “të dëshirojë” apo të “ketë prirje” për të bërë “ndarje”, ato me karakter islamik apo të ndryshme?

-Adriatik Llalla: “ Në Shqipëri momentalisht nuk kemi asnjë procedim penal të nisur për vepra penale në fushën e terrorizmit ndërkombëtar apo atij fetar. Nga të dhënat e deritanishme që ne disponojmë, Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Policia e Shtetit nuk kanë të dhëna që të krijojnë dyshime se në territorin e vendit tonë ka elementë të veprave të tilla penale”.

-Më lejoni të vazhdoj përsëri. Bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës besoni se ëhstë në nivelin e tij më të lartë? Kemi pasur raste shumë të mira të bashkëpunimit, kryesisht në fillimin e viteve ‘90 dhe në fillim të viteve 2000.

-Adriatik Llalla: “Ne vazhdojmë të kemi bashkëpunim shumë të frytshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një ndër partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë, së bashku me Bashkimin Europian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve dhe aktivitetit institucional për prokurorinë dhe shumë institucione të tjera, nëpërmjet programeve të ndryshme të trajnimit të prokurorëve apo të Policisë Gjyqësore që merren me hetimin e veprave të ndryshme penale”.

-Zoti Llalla, një pjesë e shoqërisë në Shqipëri është cenuar nga disa elementë që lidhen me kërkesat e ndryshme për azil politik në shtetet e Bashkimit Europian, apo përkatësisht vendet e hapësirës europiane “Shengen” menjëherë pas lehtësimit të regjimit të vizave të qëndrimit afatshkurtër dhe afatmesëm. A keni dokumentacione që provojnë për role jo të mira të personave të ndryshëm që lëshojnë certifikata të kësaj natyre (kupto: hetime ndaj lëshuesve të vërtetimeve për persona në gjakmarrje, që përdoren për kërkesa azili)? Kjo është përparësi e punës së qeverisë për shkak edhe të një diskutimi të përhershëm për mundësinë e pezulliit të përkohshëm të vizave.

-Adriatik Llalla: “Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë ka qenë një ëndërr e të gjithëve. Dhe, për këtë arsye, tashmë që kjo pritshmëri është realizuar, ne të gjithë duhet të punojmë që ky proces të vijojë pa ndërprerje. Jemi të angazhuar që të ndëshkojmë atë pakicë, e cila me veprimet antiligjore cënon të drejtën e shumicës së shqiptarëve për të qarkulluar lirisht në vendet perëndimore.
Ne jemi në dijeni të disa rasteve të kësaj natyre, ku disa organizata apo grupime lëshojnë vërtetime të fallsifikuara, nëpërmjet të cilave shtetas të ndryshëm shqiptarë synojnë të përfitojnë azil politik në vendet e Bashkimit Europian. Kemi nisur mjaft procedime të kësaj natyre dhe bashkëpunojmë me vende si Franca, Gjermania, me Italinë, Belgjikën, Britaninë e Madhe dhe të tjera, për të verifikuar raste që ata dyshojnë se shtetas të ndryshëm synojnë të përfitojnë statusin e azilantit politik nëpërmjet dokumentave të falsifikuara”.

-I nderuar zoti Kryeprokuror, më lejoni të shpreh mirëkuptim për përgjigjen Tuaj të mëpasme, mbi disa çështje të ndjeshme për opinionin në Shqipëri. Do të doja t’i ndaja shkurtimisht pavarësisht kohëzgjatjes së përgjigjes Tuaj. 21 Janari 2011 (humbën jetën katër persona në tubimin e dhunshëm të opozitës) mbetet një ndër çështjet kryesor, aq më tepër që bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, me Byronë Federale të Hetimit (FBI) ka qenë në nivel të lartë. A kemi ndonjë mundësi që, përfshi edhe të quajturën “aministi” që lehtësoi disa persona (nga përfshirja) në hetim, ta rikthejmë këtë, pra hetimin në “gjithëpërfshirës”, siç thonë edhe Shtetet e Bashkuara?

-Adriatik Llalla: “21 Janari siç jemi tashmë të gjithë në dijeni, është një çështje që është gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe vijon gjykimi në Gjykatën e Apelit. Ne jemi në pritje të vendimit të kësaj gjykate për të vlerësuar se si do të veprohet më tej”.

-Mund të themi që jemi në linja të njejta edhe për çështjen e Gërdecit (më 15 mars 2009 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë nga shpërthimi në një punishte të çmontimit të predhave të municionit luftarak), pasi familjarë të viktimave kanë kërkuar vazhdimësi të procesit për zbardhjen e ngjarjes.

-Adriatik Llalla: “Aktualisht, kjo çështje pritet të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Për këtë arsye, si për të gjitha rastet e tjera, prokuroria ka rolin e saj aktiv gjatë procesit”.

-U falenderoj për përgjigjet e këtyre tri cështjeve. Tani më lejoni të vazhdojmë me pikën e fundit, ku do të doja të shtoja mbi disa shqetësime që ka pasur në disa zona të jugut të Shqipërisë mbi elementët e varrimeve apo zhvarrimeve kryesisht pas marrëveshjeve që ka bërë qeveria e Shqipërisë me qeverinë e Greqisë për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë (të pretenduar se janë vrarë gjatë luftës italo-greke). A kemi diçka të re mbi hetimet ndaj personave që kanë rezultuar si të përfshirë në lëtë çështje, padyshim këtu nuk po bën veçanti të klerit ortodoks apo jo.

-Adriatik Llalla: “Në rastet konkrete në vlerësimin e prokurorisë shqiptare gjykojmë se ka elementë të veprës penale, por pa paragjykuar elementët fetarë apo ata nacionalistë. Disa raste janë në proces hetimi, kurse pjesa tjetër është në proces gjykimi”.

-Zoti Kryeprokuror, jemi te pyetja e fundit që padyshim lidhet me një shqetësim të vazhdueshëm të prokurorisë mbi të komentuarin si “rrjedhje informacioni”. Ju keni qenë i vëmendshëm ndaj veprave të fundit të ndryshme penale ku informacioni ka rrjedhur, përfshi të pedofilisë apo vrasjeve të rënda (kupto: më parë rastet e 21 Janarit, Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës, vrasjet e zhurmshme, përfshi zyrtarëve apo gjykatësve, vrasjet e komisarëve të policisë, i fundit Dritan Lamaj, për pedofilinë Ardian Prrenjasi). A kemi një veprim konkret nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të parandaluar këto lloj rrjedhjeje informacioni apo më saktë, ndëshkime të personave që mendohet (apo dyshohet) se kanë qenë pjesë e kësaj çështjeje (rrjedhje të informacionit)?

-Adriatik Llalla: “Ky është një shqetësim që unë e kam ndeshur që në ditët e para të marrjes time të detyrës ku konstatohej se në media të ndryshme, bëhej publike në mënyrën më të shpejtë të mundshme, fakte dhe prova që lidhen me çështje të ndryshme penale në proces hetimi.
Në ngjarjet më të fundit, ngjarjet e rënda, siç e keni konstatuar edhe Ju dhe i gjithë opinioni, janë bërë publike që në momentet e para deklaratat e personave të përfshirë në ngjarje. Mënyra se si ato ishin vënë në dispozicion të medias, krijonte dyshime se kishte rrjedhje informacioni nga ana e personave të ngarkuar me hetimin e atyre rasteve. Për këtë arsye, menjëherë është urdhëruar fillimi i hetimeve ndaj prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të ngarkuar me ndjekjen e këtyre rasteve. Dhe, njëherazi është nxjerrë urdhër përkatës që çdo rast, trupa e prokurorëve përpara se të komunikojë me median duhet të komunikojë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me të dhënat që do të bëhen publike. Pra, informacioni do të bëhet publik vetëm nëpërmjet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk do të thotë se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të jetë e mbyllur për mediat. Përkundrazi, ne do të jemi gjithmonë transparentë për ato zhvillime që do të kenë interes për publikun, por natyrisht pa dëmtuar hetimet”.

-U falenderoj zoti Prokuror i Përgjithshëm për përgjigjet që dhatë për Radio Televizionin e Kosovës dhe për gazetën “Illyria” në Shtetet e Bashkuara!

-Adriatik Llalla: “Faleminderit Ju! Është kënaqësi për mua që më jepet mundësia të flas për këto media të rëndësishme dhe për publikun Tuaj”!

 Data: 19.04.2013