Njoftime për Shtyp

Përurohet zyra e prokurorit ndërlidhës të Shqipërisë pranë Eurojust

Hagë, 29 tetor 2021.   Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Z. Olsian Çela  dhe Presidenti i Eurojust z. Ladislav Hamran përuruan sot Zyrën e Prokurorit Ndërlidhës të Shqipërisë pranë selisë së Eurojust në Hagë.  Ceremonia e sotme vjen pas përzgjedhjes dhe caktimit të prokurorit të parë ndërlidhës të Shqipërisë pranë kësaj agjencie në janar të këtij viti, znj. Fatjona Memçaj. 
 
“Kjo është një ditë e shënuar për Shqipërinë, provë e përkushtimit për të ardhmen në familjen evropiane. Bashkë do të jemi më të fortë! – u shpreh Prokurori i Përgjithshëm gjatë ceremonisë. 
Presidenti i Eurojust z. Ladislav Hamran vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për çeljen e zyrës së prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust si një mjet që shtyn përpara bashkëpunimin në fushën e gjyqësorit. 

Të pranishëm ishin drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z.Arben Kraja, prokurori ndërlidhës i Shqipërisë pranë Eurojust Fatjona Memçaj, Ambasadorja e Shqipërisë në Hollandë Adia Sakiqi, përfaqësues të projektit IPA 2019 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor” dhe delegacioni shqiptar i prokurorisë. 

Ceremonia e çeljes së zyrës së prokurorit ndërlidhës të Shqipërisë pranë Eurojust u pasua nga takimi vjetor vlerësues i punës për marrëveshjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Eurojust. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela vlerësoi mes të tjerash se “Rruga që kemi ndërmarë do të na mundësojë të konsolidojmë përvojat dhe kapacitetet, si dhe do të na lejojë të përgjigjemi në një mënyrë më të organizuar institucionale ndaj kërcënimit serioz që krimi i organizuar transnacional paraqet për shoqëritë tona”. 

Presidenti i Eurojust vlerësoi punën e Shqipërisë pranë Eurojust dhe prezantoi prioritetet e punës së agjencisë për vitin e ardhshëm. Prokurori i Përgjithshëm nga ana e tij vlerësoi se është e domosdoshme të rritet roli i Eurojust në drejtim të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera anëtare të kesaj agjencie. 

Bashkëpunimi gjyqësor ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Eurojust është rritur me caktimin e prokurorit ndërlidhës. Përgjatë periudhës janar-shtator 2021 Zyra Ndërlidhëse Shqiptare në Eurojust ka regjistruar 20 çështje të reja me kerkesën e autoriteteve shqiptare dhe janë lidhur 3 marrëveshje të reja të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore (JITs), ndërsa përgjatë përiudhës 2016-2020 janë regjistruar gjithsej 84 raste.  

Delegacioni shqiptar i prokurorisë zhvilloi takime me partnerë dhe drejtues të institucioneve të prokurorisë holandeze gjatë vizitës dyditorë në Hagë (28-29 tetor 2021). Pjesë e vizitës ishte edhe takimi me Kryetarin e Bashkisë së Hagës Jan Van Zanen.