Njoftime për Shtyp

Plagosja e Kryetarit të Bashkisë Divjakë, Prokuroria Lushnjë regjistron procedim për dy vepra penale ndaj O. Xh.

Mbi bazën e materialeve të dërguara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka regjistruar procedimin penal Nr. 694, të vitit 2022, për veprat penale "Vrasje e funksionarëve publike", e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/a e 22 të Kodit Penal, për episodin e goditjes së shtetasit Fredi Kokoneshi, veprën penale të “Vrasjes me dashje”, të mbetur në tentavivë, parashikuar nga neni 76 e 22 i Kodit Penal, për episodin e goditjes së shtetasit Gazmir Bullari, dhe veprën penale të “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/2 të Kodit Penal. 

Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë është paraqitur në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 15.11.2022, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorsë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë; 
2. Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim O.Xh.; dhe
3. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Në lidhje me faktin penal të mësipërm, hetimet janë në fazën fillestare të tyre dhe se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje po kryhen verifikime në drejtim të dinamikës së ndodhjes së ngjarjes, motiveve, administrimin dhe këqyrjen e provave materiale, marrjen e deklarimeve nga persona që kanë dijeni mbi ngjarjen dhe kryqëzimin e tyre me njëra-tjetrën dhe me provat në tërësi, me qëllim hetimin objektiv të ngjarjes.