Njoftime për Shtyp

Prezantohen drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe të Krimeve të Rënda

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, z. Petrit Fusha dhe drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beci

 

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezantoi drejtuesit e rinj të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Bazuar në votimin e disa ditëve më parë të Këshillit të Prokurorisë, drejtuesi i institucionit vendosi të emërojë në krye të Prokurorisë së Tiranës z. Petrit Fusha, prokuror me përvojë në këtë strukturë. Po ashtu, në krye të prokurorisë së Krimeve të Rënda u emërua z. Eugen Beci, i cili ka qenë i komanduar në këtë detyrë prej 7 muajsh.

Në fjalën e tij para trupës së prokurorëve në ceremonitë e prezantimit të drejtuesve të rinj, z. Llalla kërkoi angazhim maksimal nga i gjithë stafi për të vendosur para drejtësisë shkelësit dhe abuzuesit me ligjin.
Për Prokurorin e Përgjithshëm, “veprimet e shpejta dhe të plota do të forcojnë imazhin e institucionit dhe besimin e publikut tek organet e drejtësisë. Shpreh bindjen se ne jemi në gjendje që të përmbushim me korrektesë maksimale pritshmëritë e publikut”.

Në Prokurorinë e Tiranës, z. Llalla vuri theksin edhe tek angazhimi në luftën kundër korrupsionit. “Është shumë e rëndësishme për t’u theksuar se nga Prokuroria e Tiranës pritet që të japë kontribut shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Nisur nga fakti që pjesa më e madhe e institucioneve qëndrore janë të përqëndruara nga Tiranë, e shndërron luftën kundër korrupsionit në një çështje të një rëndësie të veçantë”.

Ndërsa para prokurorëve të Krimeve të Rënda, z. Llalla u shpreh se “nisur nga disa raste të rënda, të ndodhura ditët e fundit në kryeqytet, do të kërkoj prej të gjithëve që të jeni të angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për të kryer hetime të menjëhershme dhe për të dërguar para gjykatës në një kohë sa më të shpejtë të gjithë autorët e dyshuar të veprave penale”