Njoftime për Shtyp

Prezantohen në Prokurorinë e Përgjithshme rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023

Në një takim me gjithë drejtuesit e prokurorive në vend, që u zhvillua në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme, Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja prezantoi rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2023. 

Rekomandimet u fokusuan në fusha të tilla si lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, ashpërsimi i politikës penale sa i përket dhunës në familje, rritja e rolit të prokurorëve në nisjen e hetimeve kryesisht si dhe çështje të tjera me rëndësi. 

Prokurori i Përgjithshëm, z.Olsian Çela theksoi gjatë takimit rëndësinë e koordinimit mes institucioneve ligjzbatuese në drejtim të përcaktimit të objektivave në luftën ndaj kriminalitetit dhe nevojën për një kontribut  më të madh të drejtuesve në ndjekjen e rekomandimeve. 

Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi gjithashtu marëdhënien konstruktive me Ministrinë e Drejtësisë si dhe nivelin shumë të mirë të koordinimit dhe bashkëpunimit mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se  gjatë vitit 2022 janë 61 procedime penale në lidhje me krimin e organizuar e korrupsionin që janë nisur nga këto prokurori dhe për të cilat Prokuroria e Posaçme ka vazhduar më tej hetimet.