Njoftime për Shtyp

Prezantohen rezultatet përfundimtare të analizës vjetore 2013 dhe ndryshimet strukturore

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton problematikat e konstatuara gjatë vitit 2013 dhe riorganizimin e strukturës për rritjen e efiçensën në hetimin e korrupsionit dhe kriminaliteti në përgjithësi


Në përfundim të analizës vjetore të institucionit, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka evidentuar si problematikë që ka nevojë për përmirësim të ndjeshëm rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së hetimit.

Në një takim që zhvilloi ditën e sotme (e Martë-25.02.2014), me drejtorët dhe prokurorët në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Llalla kërkoi prj tyre forcimin e rolit kontrollues mbi strukturat e shkallës së parë dhe të Apelit. “Është rritur ndjeshëm ky kontroll, krahasuar me një vit më parë, por sërish duhet më shumë impenjim nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme për të evidentuar problematikat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të prokurorëve në nivelet më të ulta”.

Në kuadër të forcimit të rolit kontrollues dhe koordinues, z. Llalla prezantoi edhe ndryshimet strukturorë në Prokurorinë e Përgjithshme, nëpërmjet të cilave synohet që të arrihen rezultate më konkrete përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në përgjithësi.

Duke e vlerësuar prioritare luftën kundër korrupsionit, “Sektori i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit ngrihet në nivel më të lartë, në Drejtori të Hetimit të Korrupsionit. Kjo strukturë, e cila do të drejtohet nga prokurori Altin Binaj, do të synojë të koordinojë veprimtarinë e Njësive Task-Force dhe do të rrisë rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit”. Duke folur për aktivitetin e këtyre Njësive, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “është e nevojshme që të ketë ristrukturime në këto struktura për të rritur efiçencën dhe dinamikën e tyre. Këto ndryshime do të prekin, sidomos Njësitë Task-Force në qytetet kryesore, përfshirë edhe Tiranën”.

Po ashtu, me qëllim ndikimin mbi Gjykatën e Lartë për të marrë vendime unifikuese për çështje problematike që trajtohen në mënyra të ndryshme nga gjykata të ndryshme të Shqipërisë, z. Llalla do të drejtojë personalisht edhe Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga analizat vjetore, është konstatuar se kërkohet një ndërhyrje e shpejtë dhe efikase për standartizimin e praktikave në sistemin gjyqësor, gjë e cila arrihet vetëm nëpërmjet ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, Prokurori i Përgjithshëm do të investohet personalisht në këtë drejtim.

Në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve kompjuterike dhe bankare, z. Llalla njoftoi gjithashtu krijimin e Sektorit të Krimeve Kibernetike në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të drejtohet nga prokurori Arqile Koça. “Krijimi i kësaj njësie, e cila mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ka ardhur si një nevojë për rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit bankare dhe kompjuterik në përgjithësi. Kjo strukturë do të kontrollojë aktivitetin e njësive të posaçme që po ngrihen në të gjithë prokuroritë e rretheve gjyqësore”, u shpreh z. Llalla.

Në mbledhjen e sotme u prezantua edhe riformatimi i Drejtorisë së Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të formalizohet brenda pak ditëve dhe do të drejtohet nga një prokuror. “Organi i prokurorisë është pjesë e rëndësishme e reformave ndërinstitucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë arsye, u vlerësua e arsyeshme që të ngrihet një drejtori e veçantë për studimin e platformave në këtë drejtim, si edhe për të ingranuar të dhënat e prokurorisë në sistemin kombëtar të të dhënave statistikore (track records), si një përmbushje e prioritetit të rekomanduar në Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë”, përfundoi Prokurori i Përgjithshëm.

Së fundi, duke u nisur nga nevoja për plotësimin e disa vendeve vakante të krijuara në prokuroritë e Apelit dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si edhe duke vlerësuar se në këto pozicione kërkohen prokurorë me eksperiencë në hetim z. Llalla kërkoi nga ana e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme që, nëse e vlerësojnë, të paraqesin kërkesat e tyre për plotësimin e këtyre vendeve. “Sipas ligjit, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme vijojnë të kenë të njëjtin status, pavarësisht faktit se ku ushtrojnë funksionet e tyre. Duke u nisur nga nevoja për plotësimin e këtyre vendeve, si edhe nga pamundësia aktuale për të shtuar numrin e prokurorëve, kërkohet nga ana juaj që të shprehni vullnetin për të plotësuar këto vende vakante. Nëse nuk do të ketë vullnet të shprehur, atëherë Prokurori i Përgjithshëm do të vlerësojë se cilët prej prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme do të angazhohen në strukturat e tjera që duhen plotësuar”, përfundoi z. Llalla.

 Data 25.02.2014