Njoftime për Shtyp

Prodhonin kanabis në një vilë 3-katëshe, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim 9 persona

Prokuroria e Fierit përfundon hetimin dhe dërgon për gjykim 9 persona, të cilët u arrestuan në flagrancë, duke kultivuar e përpunuar rreth 3 mijë rrënjë kanabis sattiva në ambjentet e një ndërtese tre-katëshe.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Fierit, rezultoi se organizatori i aktivitetit të paligjshëm është shtetasi Endri Fejzulla. Ky shtetas ka marrë me qera ndërtesën tre-katëshe të shtetasit P.B, me justifikimin se do të hapte një biznes fason. Por, ai ka siguruar mjetet e nevojshme për të kultivuar në kushte artificiale lëndën narkotike kanabis sattiva.

Në bazë të deklarimeve të tij, i pandehuri Fejzulla, fillimisht, këtë aktivitet e ka kryer i vetëm. Pasi janë rritur bimët narkotike, ai ka pasur nevojë për disa ndihmës dhe për këtë arsye ka kontaktuar me një të njohurin e tij, shtetasin K.B. Këtij të fundit i ka kërkuar që të siguronte disa persona, të cilët do të “përpunonin një bimë mjekësore të veçantë” dhe këtë punë do e kryenin për 3-4 ditë, e do të paguheshin me 3 mijë lekë të reja në ditë.
Shtetasi K.B., nisur nga kushtet e vështira ekonomike, ka pranuar ofertën dhe ka afruar disa persona, një pjesë e të cilëve familjarë të tij.

Një ditë pasi 8 persona u paraqitën në ndërtesë për të kryer proceset e “bimës mjekësore të veçantë”, e konkretisht më dt. 14.04.2017, ka ndërhyrë policia, e cila i ka arrestuar në flagrancë.
Organizatori i aktivitetit, shtetasit Endri Fejzulla, është vetëdorëzuar në polici rreth dy muaj më vonë dhe ka pranuar se aktivitetin kriminal e ka organizuar i vetëm. Për personat e tjerë, ai ka deklaruar se i ka mashtruar, duke mos u treguar se bëhej fjalë për lëndë narkotike.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit deklaron se rezulton e provuar se i pandehuri Endrit Fejzulla ka konsumuar plotesisht elementet e veprave penale te ‘’Kultivimit te bimeve narkotike”.

Gjithashtu, nga hetimet provohet se 8 të pandehurit e tjerë kane pasur dijeni për veprën penale të kryer nga ana e të pandehurit Endrit Fejzulla, por nuk e kanë kallëzuar këtë veprimtari kriminale në organet e ndjekjes penale
Për sa më sipër, ata kanë konsumuar plotësisht elmentët e veprës penale të “Moskallëzimit të krimit”.