Njoftime për Shtyp

Projekti PAMECA-IV, ndihmesë për forcimin e hetimit penal

Projekti PAMECA-IV, ndihmesë për forcimin e hetimit penal

Mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i përcjellë nga Drejtori i Drejtorisë së Hetimit, drejtuar të pranishmëve të takimit, në të cilin u lançua projekti “Konsolidimi i kapaciteteve ligjzbatuese në Shqipëri”

Institucioni i Prokurorisë, ka patur në vijimësi si dhe do vijojë që të ketë një komunikim të vazhdueshëm me Projektin PAMECA dhe përfitojmë nga rasti që të shprehim konsideratat më të larta për bashkëpunimin e deritanishëm.

Prokuroria ka qënë përfituese e projekteve të PAMECA ndër vite, veçanërisht me pjesëmarrjen në trajnime dhe organizimin e takimeve të përbashkëta me institucione të tjera ligjzbatuese.
Por, në projektin e ri të PAMECA - IV, që lançohet sot, Prokuroria është përfituese e drejtpërdrejtë e aktiviteteve dhe fushave specifikeve të parashikuara në planin e veprimit të tij.

Prokuroria e Përgjithshme, e cila përfshihet në komponentin e dytë të Projektit PAMECA- IV, ka shprehur vlerësimet pozitive për planin e punës të parashikuar në semestrin e parë, që përfshin periudhën kohore 2013-2014.

Ne e konsiderojmë të rëndësishëm këtë projekt për punën dhe aktivitetin e prokurorisë, veçanërisht në drejtim të hetimit të veprave penale që lidhen me krimin në tërësi, si dhe krimin e organizuar, krimet e rënda dhe korrupsionin në veçanti. Gjithashtu, organi i prokurorisë shpreh angazhimin maksimal për realizimin sa më efektiv të qëllimit të projektit.
Në kuadër të planit të parashikuar nga PAMECA - IV, e gjejmë me vend të theksojmë shkurtimisht disa objektiva të prokurorisë, të cilat i vlerësojmë si shumë të rëndësishme në drejtim të rritjes së efektivitetit në ushtrimin e ndjekjes penale dhe veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Së pari, me ndryshimet e fundit që ka pësuar Kodi Penal me ligjin nr.23/2012 dhe ligjin nr.144/2013, janë shtuar disa dispozita të reja, të cilat identifikojnë dhe nevojat për trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Nga ana tjetër programi i trajnimeve apo mbështetja e projektit nëpërmjet takimeve të përbashkëta apo organizimit të vizitave studimore për shkëmbim eksperience me zyrat homologe, duhet të shtrihet edhe në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja.

Gjithashtu, kemi sugjeruar që në analizën e sistemit aktual të trajnimeve dhe planit të veprimit të këtij projekti të asistohet me hartimin e metodikave dhe manualeve për hetimin e veprave të reja penale apo veprave specifike si krimi kibernetik etj. Shprehim bindjen se asistenca e ekspertëve të PAMECA-s, do të ndikojë pozitivisht në objektin e punës së prokurorisë.
Së dyti, në drejtim të bashkëpunimit ndërinstitucional, është evidentuar nevoja për ndërtimin dhe vendosjen e një sistemi kompjuterik, nëpërmjet të cilit do të mund të komunikohet në kohë reale ndërmjet Prokurorisë, Ministrisë dhe Zyrës së Interpolit në Tiranë.

Këto dy objektiva semestralë, janë ato për të cilat prokuroria shqiptare do të kërkojë asistencën dhe mbështetjen e projektit PAMECA IV, të cilin gjejmë sërish rastin për ta falenderuar lidhur me angazhimin për konsolidimin e kapaciteteve ligjzbatuese në Shqipëri.