Njoftime për Shtyp

Prokurorë dhe gjyqtarë, qëndrim unison për forcimin e luftës kundër gjakmarrjes

Parandalimi dhe goditja e fenomenit të gjakmarrjes ka qenë objekt i një takimi të nivelit të rëndësishëm me prokurorë e gjyqtarë, organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Shkolla e Magjistraturës.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është bashkuar me shqetësimin e zyrtarëve të drejtësisë mbi rëndësinë e luftës ndaj këtij fenomeni. Në fjalën e tij në këtë takim, z. Llalla u shpreh se “parandalimi i gjakmarrjes është prezantuar që në krye të mandatit si Prokuror i Përgjithshëm dhe po merren hapa konkrete në zonat e Shqipërisë ku ky fenomen ka një përhapje më të gjerë”.

Për z. Llalla, në ndihmesë të trupës së prokurorëve dhe gjyqtarëve kundër gjakmarrjes tashmë është edhe kuadri ligjor në fuqi, i amenduar vetëm pak kohë më parë në Kuvendin e Shqipërisë. “Ligjvënësi mbështeti propozimet e prokurorisë dhe gjykatës për të ashpërsuar masat ndëshkuese ndaj individëve të përfshirë në veprat penale të gjakmarrjes. Për këtë arsye, të gjithë aktorët e drejtësisë duhet të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”.

Më tej, Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi pjesëmarrjen e lartë dhe aktivizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në diskutimet gjatë takimit, duke e konsideruar si një “forcim të vetëdijes së organeve të drejtësisë për të bashkëpunuar ngushtësisht për ruajtjen e jetës së qytetarëve”, dhe, për më tepër, “për t’u kthyer sigurinë personave që janë të prekur nga ky fenomen tërësisht antiligjor dhe antisocial”, përfundoi z. Llalla.

Prokuroria e Përgjithshme tashmë ka hartuar një bazë të dhënash për rastet problematike, të lidhura me gjakmarrjen dhe, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e institucione të tjera ligjzbatuese po kryejnë monitorim të vazhdueshëm ndaj personave që janë potenciale të mundshme për t’u përfshirë në vepra kriminale të kësaj kategorie.

Data: 27.06.2013