Njoftime për Shtyp

Prokurorët nga Shqipëria dhe Kosova, për herë të pare takim të zgjeruar në Prizren

Rreth 100 prokurorë nga Shqipëria dhe Kosova, kryesisht drejtues të strukturave, me mbështetjen e Projektit Rajonal IPA 2010, zhvillojnë një takim dy-ditor për të diskutuar në terma konkretë për kriminalitetin ndërkufitar.

Prokuroria Shqiptare dhe Prokuroria e Kosovës, për herë të parë, zhvillojnë një takim të përbashkët të gjerë, me praninë e të gjithë drejtuesve dhe zyrtarëve më të lartë të prokurorive të të gjitha niveleve.
Rreth 100 prokurorë shqiptarë nga të dy anët e kufirit, nën drejtimin e Prokurorit të Shtetit të Kosovës, z. Ismet Kabashi, po diskutojnë në takimin dy-ditor që nisi të Enjten (03.04.2014) në Prizren, mbi mënyrat e bashkëpunimit në terma konkretë për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.

Në mesazhin që i përcolli këtij takimi, të organizuar me mbështetjen e Projektit Rajonal IPA 2010 dhe GIZ-Kosova, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, shprehet se “ky takim, i cili zhvillohet për herë të parë në këto përmasa, dëshmon për vullnetin e qartë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të strukturave të hetimit në Shqipëri dhe Kosovë për të luftuar kriminalitetin”.

Gjithashtu, z. Llalla, në mesazhin e tij, të përcjellë nëpërmjet z. Arben Dollapaj, Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme, shprehet se, “lufta kundër krimit ndërkufitar është një ndër sfidat kryesore të vendeve të Ballkanit. Në parantezë, duhet theksuar se vija kufitare ndërmjet dy vendeve tona është, më shumë se çdo gjë tjetër, një shprehje gjeografike. Por, pikërisht lehtësirat e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve ndërmjet dy vendeve tona u ka krijuar mundësi elementëve kriminale të përfitojnë për realizimin e qëllimeve.Në bazë të komunikimit intensiv ndërmjet dy institucioneve tona, rezulton se problematika kryesore kriminale që na lidh ështën kontrabanda dhe trafiqet e ndryshme, përfshirë ato të lëndëve narkotike e automjeteve dhe, në raste më të rralla, ato të armëve”.

Duke theksuar se këto çështje nuk prekin vetëm strukturat e prokurorisë në zonat kufitare, por kanë një shtrirje më të gjerë në brendësi të Shqipërisë dhe Kosovës, z. Llalla vlerëson se “për këtë arsye, pjesë e kësaj konference janë drejtues dhe prokurorë të rretheve të Shqipërisë dhe komunave të Kosovës. Është e rëndësishme të nxitet diskutimi për të gjetur rrugët më të shpejta dhe efikase për goditjen e krimit ndërkufitar”.

Po ashtu, në mesazhin e tij, z. Llalla i adresohet konferencës se është e nevojshme modifikimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Shqipërisë dhe Prokurorisë së Kosovës. “Ekziston vullneti i përbashkët për të bërë hapa të mëtejshëm në ristrukturimin e raporteve ndërmjet dy institucioneve tona. Prokuroria Shqiptare e ka mirëpritur propozimin e z. Kabashi për shkëmbimin e hetimeve lidhur me qytetarët shqiptarë që kryejnë vepra penale në territorin e Republikës së Kosovës, por që nuk sjellin pasoja për interesat e shtetit apo të qytetarëve kosovarë dhe anasjelltas. Kemi bindjen se kjo nismë do të ndikojë në rritjen e shpejtësisë dhe cilësisë së hetimit”, shprehet Prokurori i Përgjithshëm.

Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës, z, Llalla solli në vëmendje një tjetër çështje, e cila u vlerësua interesante të përcillej në këtë takim. “Pak javë më parë, në Krujë, Shoqatat e Prokurorëve të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi. Drejtuesit e Prokurorisë Shqiptare dhe Prokurorisë së Kosovës kanë ofruar mbështetjen e plotë për intensifikimin e raporteve ndërmjet shoqatave. Këto organizma nuk janë formale institucionale, por gjithësesi kanë një vlerë shumë të veçantë”, përfundon mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, për konferencën e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës që po zhvillohet në Prizren.

 

Data 03.04.2014