Njoftime për Shtyp

Prokurori-Polici, analizë e zgjeruar për forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit

Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit zhvillojnë analizë të zgjeruar mbi rezultatet konkrete të bashkëpunimit dhe përmirësimin e problematikave në terren. Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri: “Ekziton vullnet dhe kapacitete për të vijuar luftën e përbashkët kundër krimit dhe korrupsionit”.


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Ministri i Brendshëm, z. Saimir Tahiri, drejtuan analizën e përbashkët ndërmjet drejtuesve të prokurorive të rretheve gjyqësore dhe drejtorëve të Policisë së Qarqeve, në një takim të zhvilluar në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme, ditën e Premte (dt. 21.11.2014).
Gjatë diskutimeve u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet strukturave hetimore, si edhe u prezantuan problematikat teknike, për të cilat është e nevojshme marrja e masave në nivel qëndror dhe lokal.

Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm, evidentuan se ekziston një vullnet i përbashkët për të punuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë këndvështrim, dy zyrtarët e lartë vlerësuan se, edhe fakti që diskutohen hapur problematikat konkrete, është një shenjë pozitive se ndërmjet institucioneve ka frymë konstruktive bashkëpunimi dhe kapacitete për të gjetur zgjidhje.

Në kuadër të bashkërendimit të punës hetimore, Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Adnan Xholi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Artan Didi, prezantuan situatën aktuale, ku u vu theksi në rezultatet konkrete të deritanishme, si edhe në nevojën e përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, sidomos në nivel lokal.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në fjalën hapëse të takimit-analizë, u shpreh:
“Në muajin Maj 2014, prokuroria shqiptare dhe Policia e Shtetit vendosën një standart komunikimi, i cili ka dhënë rezultate konkrete dhe të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në atë takim vendosëm bashkërisht që të zhvilloheshin analiza periodike në nivel qëndror dhe vendor. Ky angazhim i përbashkët është shoqëruar me aksione dhe hetime të suksesshme. Natyrisht, një vend kryesor kanë ndërhyrjet policore dhe hetimet në zonën e Lazaratit dhe Dukagjinit, kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Gjithashtu, ka pasur edhe raste të tjera, të cilat janë vlerësuar jo vetëm nga faktorët vendas, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, ne jemi të gjithë të bindur se sfida kundër krimit është e përditshme, kërkon angazhim serioz dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Në nivel qëndror, diskutimet dhe analizimet periodike janë intensive për çështje të një rëndësie kombëtare, si edhe për forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit me Ministrin e Brendshëm dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Aktiviteti i dy institucioneve tona është dinamikë, gjë që do të thotë se edhe problemet ekzistojnë. Por, ajo që është pozitive, është fakti se ka vullnet për të përballuar së bashku problemet dhe për të gjetur zgjidhje në të mirë të punës sonë dhe qytetarëve. Me Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë kemi diskutuar për problematika të ndryshme në nivelin bazë, të cilat kanë nevojë për orientim nga strukturat qëndrore.

Policia e Shtetit, në disa qarqe, ngre shqetësimin që jo në çdo rast u delegohen për hetim çështje që referohen nga strukturat e tyre.  Ndërkohë, nga ana prokurorëve, ngrihet shqetësimi që ka lëvizje të shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore të ngarkuar me hetimin e rasteve të ndryshme, gjë që ndikon në shpejtësinë dhe cilësinë e veprimeve hetimore. Për problematika të kësaj natyre, por edhe për të tjera çështje të përditshmërisë, siç janë mungesa e ekspertëve autoteknikë apo lëvizja e laboratorit kriminalistik, është rënë dakord në nivel qëndror për t’u zgjidhur brenda një kuadri të pranueshëm. Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë hallkat kryesore për luftën kundër krimit dhe për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptim dhe bashkëpunim.

Kjo frymë bashkëpunimi është e domosdoshme që të mbizotërojë në çdo rreth dhe qark të Shqipërisë ndërmjet dy strukturave tona. Ky është edhe qëllimi kryesor i këtij takimi. Duhet pranuar se ndërmjet prokurorisë dhe policisë ka një komunikim intensiv, i cili nuk ka qenë në këtë nivel vite më parë. Pra, të gjithë ne duhet t’a pranojmë si vlerë positive rritjen e standartit të bashkëpunimit.  Duke besuar se shpreh mendimin edhe të Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, jam i bindur se forcimi i kësaj fryme bashkëpunimi është vendimtare për suksesin në vijimësi të punës sonë”.

Data:21.11.2014