Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, takon Drejtorin e Antimafias Italiane, Franko Roberti

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla dhe Drejtori i Antimafias së Italisë, z. Franko Roberti, diskutuan në Tiranë mbi mundësitë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe, kryesisht, trafiqeve të paligjshme.

Në fokus të takimit të zhvilluar ditën e sotme (23.02.2017) ishte diskutimi mbi ecurinë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit, nënshkruar ndërmjet dy institucioneve në Nëntor 2014.
Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar thuajse 3 vjet më parë është forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i informacionit në një kohë sa më të shpejtë, për të realizuar hetime efikase në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Në vijim të kësaj marrëveshje, tashmë është krijuar edhe një Skuadër e Përbashkët Hetimore ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Antimafias së Leçes.

Gjithashtu, ndërmjet dy strukturave hetimore ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me për raste konkrete hetimore.
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë është vënë në dijeni gjatë kohëve të fundit lidhur me shqetësimin e autoriteteve italiane për rritjen e rasteve të trafikut të lëndëve narkotike.
Autoritetet italiane kanë kërkuar rritjen e forcës goditëse nga ana e autoriteteve shqiptare, pasi sasia e lëndëve narkotike që po trafikohet nga Shqipëria në drejtim të Italisë ka marrë përmasa shqetësuese për fqinjët tanë përtej Adriatikut.

Në takimin e sotëm, Prokuroria Shqiptare informoi kreun e Antimafias, z. Roberti edhe për ligjin “Për Dekriminalizimin”. Nga ana e institucionit shqiptar u kërkua mirëkuptimi i Drejtorisë së Antimafias së Italisë që të forcojmë më tej bashkëpunimin edhe në këtë drejtim.
Drejtoria e Antimafias Italiane ka të dhëna të plota mbi rastet e hetuara të shtetasve shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Itali. Një pjesë e personave që janë skeduar nga autoritetet italiane mund të jenë sot persona të zgjedhur, zyrtarë në nivele të larta drejtuese, ose punonjës të administratës.

Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin ligjor për të verifikuar integritetin e këtyre zyrtarëve dhe informacionet që janë në disponim të Antimafias italiane do të ndihmonin shumë procesin e Dekriminalizimit në Shqipëri.
Këto ishin në vija të përgjithshme temat e diskutuara në takimin e sotëm. Prokuroria e Përgjithshme e falenderoi zotin Roberti për angazhimin e tij personal dhe institucional për të mbështetur dhe bashkëpunuar me institucionin tonë, duke shprehur gjithashtu besimin se ky bashkëpunim do të vijojë të jetë gjithnjë e më efikas.