Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, takon Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka diskutuar në Bruksel me homologun e tij, Prokurorin Federal të Belgjikës, z. Frederic Van Leeuw, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çështjet me rëndësi globale, ku fokusi kryesor ishin masat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit.

Në takimin e zhvilluar ditën e sotme (E Mërkurë), Z. Llalla informoi homologun e tij lidhur me hapat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptare për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Prokurori i Përgjithshëm ka rikonfirmuar qëndrimin se “vendi ynë do  të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”.

Zoti Llalla është njohur nga Prokurori Federal i Belgjikës me problematikën e kriminalitetit shqiptar në atë vend, kryesisht për grupet që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit dhe trafikimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Për këto shqetësime, z. Llalla garantoi se Prokuroria, si edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të vijojnë shkëmbimin e informacionit me autoritetet belge, si edhe do të intensifikojnë hetimet për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive në vendin tonë të shtetasve shqiptarë që janë të përfshirë në grupe kriminale në Belgjikë.

Nga ana tjetër, z. Llalla garantoi homologun e tij se autoritetet e larta shqiptare po tregojnë një interes të lartë për luftën kundër narkotikëve. Si shembull konkret per këtë angazhim, Prokurori i Përgjithshëm përmendi në takim edhe faktin që “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”.

Gjithashtu, duke iu përgjigjur interesimit të Prokurorit Federal të Belgjikës, z. Llalla e informoi mbi ecurinë e procesit gjyqësor penal kundër ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për një vrasje në Belgjikë dhe hetimi ndaj tij është zhvilluar nga ana e autoriteteve belge.