Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: Antikorrupsioni dhe abuzimi me tokën, fokus maksimal

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, identifikoi dy çështje prioritare për punën e institucionit në periudhën në vijim: luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pronat publike.

Në një takim me drejtuesit e strukturave të Prokurorisë të të gjitha niveleve ditën e Premte (dt. 26.09.2014), z. Llalla kërkoi thellimin e hetimin për këto raste, të cilat janë, siç i vlerësoi ai, “pengesa serioze në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri”.

Duke vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal të të gjithë strukturës për të vendosur para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar apo ish-zyrtar që është përfshirë në veprat penale që lidhen me funksionin publik.

Prokurori i Përgjithshëm e vlerësoi të rëndësishme ndryshimet ligjore, në bazë të të cilave korrupsioni i zyrtarëve në nivele të larta do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. “Ky ndryshim ligjor - theksoi z. Llalla – dikton nevojën edhe për riorganizimin e Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force që veprojnë në disa prokurori të rretheve gjyqësore”. Z. Llalla u bëri present drejtuesve të prokurorive se Prokuroria e Përgjithshme po punon për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të këtyre strukturave të posaçme për rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit.

Duke u ndaluar tek rastet e abuzimit me pronat publike, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi një vëmendje të veçantë nga e gjithë strukturat e institucionit për hetimin e rasteve të dyshuara të kthimit të pronave apo të legalizimit të tyre. “Shteti shqiptar, aktualisht gjendet në një situatë kur, për vendosjen e rregullit në regjimin e tokës, duhet të përballet në gjykatë me shtetas, të cilët kanë ligjëruar pronat në mënyrë abuzive. Kjo është një kosto shumë e lartë për shtetin dhe për taksapaguesit shqiptarë. Për këtë arsye, Prokuroria ka nisur dhe do të vijojë të ndërhyjë në mënyrë energjike për të penalizuar këdo që ka abuzuar, si për ata zyrtarë të zyrave të ALUIZNI-t që kanë dhënë leje legalizimi, po ashtu edhe për ata shtetas që kanë abuzuar me pronat dhe që tashmë kërkojnë dëmshpërblim nga shteti”, deklaroi z. Llalla.

Duke vijuar më tej diskutimin, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka nisur procesi i inspektimit në Prokuroritë e Apelit në të gjithë Shqipërinë, për të kontrolluar veprimtarinë e tyre, me fokus të veçantë rastet e heqjes dorë nga e drejta e ankimit apo të mosushtrimit të rekurseve në Gjykatën e Lartë.

Po ashtu, z. Llalla kërkoi nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme që të intensifikojnë rolin e tyre kontrollues mbi prokuroritë e shkallëve më të ulta.

Duke e vlerësuar të domosdoshme shtimin e ritmit të punës, referuar edhe shtimit të ndjeshëm të materialeve të referuara nga institucionet e tjera, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se është e nevojshme një riorganizim i strukturës dhe lëvizje të prokurorëve, duke filluar nga Prokuroria e Përgjithshme deri në nivelin bazë. “Ky riorganizim do të realizohet me qëllim forcimin e hetimit dhe rritjen e efikasitetit në çdo hallkë të institucionit”, përfundoi z. Llalla.

 

Data 26.09.2014