Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: KLSH, partner serioz në luftën kundër korrupsionit

Prokurori i Përgjithshëm: KLSH, partner serioz në luftën kundër korrupsionit

Fjala përshëndetëse e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla në Analizën Vjetore 2012 të Kontrollit të Lartë të Shtetit

I nderuar Shkëlqesia Juaj, zoti President!
I nderuar zoti Kryetar!
Zonja dhe Zotërinj
Më lejoni që të shpreh kënaqësinë e pjesëmarrjes sime në këtë takim dhe si Prokuror i Përgjithshëm të shpreh vlerësimin tim ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e konsideruar si një partner të pazëvendësueshem në misionin tonë për luftë ndaj korrupsionit dhe abuzimit me fondet dhe pronën publike.

Angazhimi juaj në respektimin e parimeve dhe arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta kanë qenë të rëndësishme gjatë vitit të kaluar.
Partneriteti mes dy institucioneve tona ka qenë i gjerë, ai është shtrirë që në krijimin e strukturës së nevojshme normative ku mbështetet qëllimi dhe puna e dy institucioneve tona. Kjo, në bazë edhe të nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Qershor të vitit të kaluar, deri në realizimin konkret të tij.

Nga ana juaj janë bërë përpjekje të dukshme në evidentimin e shkeljeve të ligjit, të cilat janë vlerësuar se përbëjnë vepra penale në fushën e administrimit të fondeve dhe pronës publike.  Për këtë janë paraqitur një numër i konsiderueshëm kallëzimesh penale, të shoqëruara me të dhënat që ju keni çmuar të nevojshme për kryerjen e hetimeve.

Në shkëmbim të një bashkëpunimi frytdhënës, prokuroria është përpjekur të vleresojë në mënyrë të kujdesshme materialet e ardhura, duke paraqitur vlerësimet e saj në drejtim të rritjes së cilësisë së kallëzimeve të paraqitura,  sipas përcaktimeve të parashikuara në ligjin procedural penal, nëpërmjet rritjes së kërkesave për kallëzime të plota dhe me fakte të qarta që lidhen me ekzistencën e një vepre penale, përcaktimin e personave përgjegjës dhe fakteve që i atribuohen secilit prej tyre, shoqëruar këto me dokumentet përkatëse, të cilat shërbejnë për të vërtetuar konstatimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë dhe gjykon se duhet të ndiqen penalisht.
Eshtë vlerësuar si një ndihmë e rëndësishme asistenca e ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë hetimeve të iniciuara nga nga institucioni juaj, sidomos në rastet kur është konstatuar se është e nevojshme të kryhen kontrolle më të plota ose verifikime të rëndësishme, që janë objekt i punës suaj. Gjithashtu, keni ofruar edhe një ndihmesë të madhe në zbardhjen e së vërtetës për të cilën kanë filluar hetimet.

Vijimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve jam i sigurt se do të japë frytet e saj në drejtim të rritjes së cilësisë së evidentimit të veprave penale dhe hetimit të tyre, duke dërguar në gjykatë në afate sa më të shpejta,  personat e veshur me pushtet publik, të cilët abuzojnë me detyrën.
Unë jam i sigurt se institucionet tona do të shënojnë një erë të re bashkëpunimi dhe angazhim në luftën kundër korrupsionit dhe keqadministrimit të fondeve publike. Në këtë mënyrë, ne i  dërgojmë mesazh të qartë publikut se mbështetja në një front të përbashket institucional është mënyra e vetme për arritjen e suksesit.
Ju faleminderit

Data: 30.01.2013