Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Llalla: Ballkani është qartësisht kundër terrorizmit

Në takimin “Sfida e luftës kundër krimit të organizuar e terrorizmit dhe bashkëpunimi në Europën Juglindore”, kreu i Prokurorisë Shqiptare u shpreh se “Ajo që shtetet e rajonit nuk kanë arritur ta bëjmë secili më vete, tashmë është momenti që të bashkuar të përballojmë sfidat e përbashkëta”.

 

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, thotë se shtetasit ballkanikë që u janë bashkuar formacioneve terroriste janë persona në kushtet e varfërisë ekstreme ose me arsimin shumë të ulët dhe se këta persona nuk përbëjnë qëndrimin e shoqërisë së Europës Juglindore lidhur me paqen dhe sigurisë në botë.

Këto komente, z. Llalla i bëri gjatë takimit “Sfida e luftës kundër krimit të organizuar e terrorizmit dhe bashkëpunimi në Europën Juglindore”, i cili u zhvillua në Prishtinë të Premten (dt. 05.12.2014), ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të akuzës nga i gjithë Ballkani.
Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë deklaroi gjithashtu se vendet e rajonit kanë dhënë kontribut në goditjen e grupeve që merren me rekrutimin dhe financimin e të ashtëquajturve “luftëra të huaj”, të cilët synojnë të përfshihen në konfliktet e armatosura jashtë Europës. Duke përmendur rolin e autoriteteve shqiptare në këtë sfidë globale, z. Llalla theksoi se “në këtë drejtim, shteti Shqiptar ka pasur mbështetje dhe asistencë të vazhdueshme nga partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian”.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, në fjalën e tij të plotë, u shpreh:
Disa muaj më parë u takuam në Tiranë, ku vendosën një standart të ri bashkëpunimi rajonal për luftën kundër krimit të organizuar. Nga ai takim, kontaktet tona janë shtuar ndjeshëm dhe janë shoqëruar me rastet konkrete suksesi.
Krimi i organizuar vijon të mbetet një sfidë që tejkalon kufijtë e një shteti, madje edhe kufijtë e rajoneve, duke u shndërruar në një shqetësim ndërkombëtar që kërkon vendosmëri dhe vullnet nga ana e institucioneve ligjzbatuese në çdo vend.

Ballkani, për shkak të pozitës së tij gjeografike, është një territor i lakmueshëm për grupet kriminale që të ushtrojnë dhe fuqizojnë aktivitetin e tyre. Mjetet dhe mekanizmat e krimit të organizuar sofistikohen gjithnjë e më shumë dhe për këtë arsye edhe kundërveprimi i agjencive ligjzbatuese duhet të vijojë të jetë më efikas. Në këtë kuadër, takimet e këtij niveli, të shoqëruara me veprime konkrete në terren, shihen si një rrugë pozitive në drejtim të forcimit të shtetit ligjor.

Ndërkohë, ne duhet të përballojmë së bashku një tjetër sfidë, luftën kundër terrorizmit.
Konfliktet në Lindjen e Mesme kanë përthitur edhe shtetas të ndryshëm të Ballkanit, në luftëra të cilat as nuk u takojnë dhe as nuk sjellin paqe. Përkundrazi kanë vetëm një qëllim: të mbjellin terror dhe të shkaktojnë pasiguri në botë.
Të gjithë vendet e Ballkanit janë rreshtuar dukshëm kundër terrorit dhe çdo vend ka luajtur rolin e tij në frenimin dhe goditjen e grupeve dhe personave që organizojnë rekrutimin dhe financimin e personave që synojnë t’i bashkohen konfliktet në Azi.

Konstatohet qartë se shtetasit ballkanikë që u janë bashkuar formacioneve terroriste janë persona në kushtet e varfërisë ekstreme ose me arsimin shumë të ulët. Pra, është një dëshmi e pastër se ballkanasit, në përgjithësi, nuk mbështesin terrorin, por i bashkohen vetëm ata persona që karakterizohen nga kultura e ulët dhe mungesa e burimeve financiare.
Megjithatë, pavarësisht arsyeve që i shtyjnë këta persona të përfshihen në konfliktet në Lindjen e Mesme, ata tashmë konsiderohen armiq kryesorë globalë. Popujt e Ballkanit, të cilët gjatë historisë e kanë parë veten të përfshirë në konflikte të gjata, tashmë e kanë kuptuar se paqja dhe harmonia është rruga e duhur drejt zhvillimit.

Kjo është arsyeja që vendet e Europës Juglindore e mbështesin fuqishëm aleancën kundër terrorit.
Në Shqipëri, në Mars të vitit 2014, ka pasur një operacion të suksesshëm kundër një grupi që organizonte rekrutim dhe financim të personave të ndryshëm për t’i përfshirë në konfliktin në Siri. Prej asaj kohe, në territorin shqiptar vërehet një lloj stepje e këtij lloj aktiviteti.
Gjithashtu, një masë frenuese kanë qenë edhe ndryshimet në Kodit Penal, të cilat kanë ashpërsuar ndjeshëm penalitetet për çdo person që synon rekrutimin dhe financimin e atyre që quhen “luftëtarë të huaj”.
Në një plan më të përgjithshëm, në Shqipëri, por jam i sigurt edhe në të gjithë vendet e Ballkanit, autoritetet e kanë shfaqur dukshëm kundërshtimin e terrorizmit.

Në këtë sfidë globale, shteti Shqiptar ka pasur mbështetje dhe asistencë të vazhdueshme nga partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Kjo mbështetje, e cila ka qenë e pranishme në asistencë dhe informacion, tanimë do të kalojë në një nivel më të lartë. Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit Amerikan po shqyrtojnë mundësinë të dërgojnë në vendet e Ballkanit prokurorë antiterror, për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve ligjzbatuese në rajon.

Gjithashtu, nëpërmjet asistencës së Bashkimit Europian, në Ballkan pritet të krijohet një qendër koordinimi për luftën kundër terrorizmit.
Pra, Ballkani është në fokus të superfuqive që synojnë paqen në botë. Ajo që kërkohet prej nesh është që të forcojmë koordinimin dhe bashkëpunimin për të dëshmuar se rajoni ynë është faktor stabiliteti dhe sigurie.
Ajo që nuk kemi arritur ta bëjmë secili më vete, tashmë është momenti që të bashkuar të përballojmë sfidat e përbashkëta”.

Data 05.12.2014