Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Llalla: Tre shtyllat rajonale për luftën kundër terrorizmit

Prokuroria Shqiptare paraqet vizionin e saj për sfidën globale kundër terrorizmit në konferencën rajonale “Procesi kriminal dhe roli i Prokurorit Publik”, i zhvilluar në Shkup të Maqedoni, me mbështetjen e instrumentit TAIEX të Bashkimit Europian


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, ka përmbledhur në tre shtylla, të konsideruara të rëndësishme prej tij, për luftën e rajonit të Ballkanit kundër terrorizmit. “Është një sfidë të cilën duhet ta përballojmë bashkë, shpejt dhe fortë”, ka theksuar z. Llalla në takimin “Procesi kriminal dhe roli i prokurorit publik”, zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 10.12.2014) në Shkup të Maqedonisë.

Në takimin rajonal, mbështetur nga Instrumenti TAIEX i Bashkimit Europian, ku merrnin pjesë prokurorët e përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të drejtësisë së Europës Juglindore, z. Llalla përmblodhi idenë e tij për bashkëpunim konkret ndërmjet strukturave hetimore kundër terrorizmit. “Ne duhet të vijojmë të jemi bashkë në këtë sfidë, pasi grupet e rekrutimit dhe financimit të të ashtëquajturve “luftëra të huaj” nuk njohin kufij. Këtë e kanë dëshmuar edhe rastet e operacioneve të zhvilluara në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit.

Ne duhet të veprojmë gjithnjë e më shpejtë, pasi rreziku i përfshirjes së qytetarëve ballkanike në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme është aktual dhe kërkojnë ndërhyrje energjike të të gjithë strukturave hetimore në vendet tona.
Ne së bashku duhet të vijojmë të veprojmë fortë ndaj këtij kriminaliteti specifik, për të dëshmuar qartësisht se Ballkani është i vendosur për të forcuar sigurinë globale”.

Në vijim të fjalës së tij, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë shprehu sigurinë dhe bindjen e tij se strukturat hetimore rajonale “do të vijojmë të eksplorojmë rrugët më të mira drejt krijimit të Ballkanit në një zonë më të sigurtë”.
Në mënyrë të plotë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, iu drejtua të pranishëmëve në këtë takim, si më poshtë:
“Besoj të gjithë e kemi konstatuar se strukturat hetimore të Ballkanit Perëndimor e kanë intensifikuar komunikimin dhe takimet e përbashkëta. Pak ditë më parë ishim në Prishtinë, ndërkohë gjashtë muaj më parë në Tiranë dhe sot në Shkup.
Pra, duket qartë se vendet tona kanë lënë pas ndasitë që na ka orientuar historia dhe po shndërrohemi në një bllok solid për të përballuar sëbashku sfidat drejt forcimit të shtetit ligjor dhe rritjes së sigurisë rajonale.

Në vlerësimin e prokurorisë shqiptare, takimet periodike janë një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të standartizuar mënyrat e hetimit, sidomos përsa i përket krimit ndërkufitar dhe atij transnacional.
Jemi të bindur që secili prej nesh ka diçka për të treguar nga arritjet institucionale në luftën kundër krimit të organizuar. Por në çdo rast, konstatojmë se sa i nevojshëm është forcimi i bashkëpunimit për të rritur forcën tonë goditëse.

Takime si ky i sotmi, të mbështetur nga programet e Bashkimit Europian, dëshmojnë gjithashtu se Ballkani nuk është i vetëm në sfidën kundër krimit, por ka asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë konsoliduar strukturat dhe mekanizmat hetimore. Kjo mbështetje, ndër të tjera, është edhe një prej arsyeve kryesore që ne ballkanasit, të gjithë bashkë, të dëshmojmë se jemi të vendosur për të forcuar sigurinë në vendet tona dhe të garantojmë aleatët tanë perëndimorë se jemi partner i rëndësishëm në sfidat kriminale globale.

Në Prishtinë diskutuam për luftën kundër terrorizmit. E vlerësojmë me vend që këtë temë ta theksojmë në çdo rast që kemi mundësi kontaktesh, pasi është një sfidë të cilën duhet ta përballojmë bashkë, shpejt dhe fortë.
Ne duhet të vijojmë të jemi bashkë në këtë sfidë, pasi grupet e rekrutimit dhe financimit të të ashtëquajturve “luftëra të huaj” nuk njohin kufij. Këtë e kanë dëshmuar edhe rastet e operacioneve të zhvilluara në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit.

Ne duhet të veprojmë gjithnjë e më shpejtë, pasi rreziku i përfshirjes së qytetarëve ballkanike në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme është aktual dhe kërkojnë ndërhyrje energjike të të gjithë strukturave hetimore në vendet tona.
Ne së bashku duhet të veprojmë fortë ndaj këtij kriminaliteti specifik, për të dëshmuar qartësisht se Ballkani është i vendosur për të forcuar sigurinë globale.

Duke ju falenderuar për ftesën dhe për mundësinë e diskutimit mbi çështje me rëndësi rajonale dhe globale, shprehim bindjen se të gjithë bashkë do të vijojmë të eksplorojmë rrugët më të mira drejt krijimit të Ballkanit në një zonë më të sigurtë”.

 

Data 11.12.2014