Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Llalla takon homologun britanik: Shqipëria, garanci luftën kundër kriminalitetit shqiptar në Angli

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim të frytshëm me Prokurorin e Përgjithshëm të Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Uellsit, z. Dominic Grieve, në të cilën u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e kriminalitetit shqiptar në Angli dhe nevojën e intensifikimit të marrëveshjeve dypalëshe për të lehtësuar bashkëpunimin efektiv ndërmjet strukturave homologe.

Dy zyrtarët e lartë janë takuar mëngjesin e së mërkurës (11.09.2013) gjatë punimeve të Konferencës së 18-të të Takimit Vjetor të Prokurorëve të Përgjithshëm, i cili po zhvillohet këto ditë në Moskë.

Z. Llalla e garantoi Prokurorin e Përgjithshëm britanik se autoritetet e drejtësisë shqiptare do të vijojnë me vendosmëri bashkëpunimin, sidomos në ekstradimin e shtetasve shqiptarë të dënuar ne Angli dhe për të cilët është urdhëruar kërkimi ndërkombëtar, si edhe në transferimin e shtetasve shqiptare, të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë në Britaninë e Madhe dhe në Uells.

Prokurori i Përgjithshëm britanik vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe shprehu vendosmërinë e tij për të vijuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me strukturat shqiptare.

Data: 11.09.2013