Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: Luftë pa kompromis krimit të organizuar dhe korrupsionit që e mbron atë

Prokurori i Përgjithshëm: Luftë pa kompromis krimit të organizuar dhe korrupsionit që e mbron atë

Për mua është një nder i veçantë që jam pjesë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit që shpreh vullnetin ndërinstitucional për luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Të gjithë jemi të bindur se ky aktivitet i paligjshëm ka njohur sofistikime të ndjeshme. Në punën tonë po përballemi me mënyra e mjete, të cilat dëshmojnë se krimi i organizuar tashmë ka arritur nivele që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar. Organi i prokurorisë e konsideron një ndër prioritetet e saj kryesore luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të produkteve që rrjedhin prej tij.
Shqipëria është një vend i hapur dhe mundësitë për t’u kryer transaksione të paligjshme, në vlera të mëdha monetare, janë më të shumta. Problematikë e mprehtë që po has në ditët e para të detyrës si Prokuror i Përgjithshëm, është fakti që pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme ka dyshime se përdoren për të korruptuar organet e zbatimit të ligjit që ndjekin hetimet për këtë lloj aktiviteti kriminal.
Po ashtu, prirja e personave të përfshirë në aktivitete të krimit të organizuar është përdorimi i këtyre të ardhurave në aktivitete të ligjshme, duke synuar në këtë mënyrë fshehjen e prejardhjes kriminale të tyre. Për këtë arsye, është detyrë themelore e organeve të zbatimit të ligjit që të përdorin të gjitha mjetet dhe mekanizmat ligjore që kanë në dispozicion për të luftuar me sukses këto sjellje kriminale.
Eksperienca ka dëshmuar se suksesi i ligjit “antimafia” është i arritshëm falë bashkëpunimit efikas dhe të vazhdueshëm të të gjitha strukturave ligjzbatuese.

Duke falenderuar Zyrën e OPDAT-it dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara për ndihmesën e vazhdueshme që i kanë dhënë prokurorisë, kam bindjen se në vijim bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare do jetë më efektiv dhe do sjellë dhe më shumë rezultate konkrete në drejtim të evidentimit, sekuestrimi, konfiskimit dhe menaxhimit të pasurive që rrjedhin nga krimi organizuar.
Ju faleminderit!