Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: Prioritetet e institucionit për vitin 2014

Prokurori i Përgjithshëm: Prioritetet e institucionit për vitin 2014
 
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, prezanton prioritetet e institucionit për vitin 2014, duke u përqëndruar në kontrollin e punës së prokurorëve dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit
 
Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka paraqitur sfidat e institucionit për vitin 2014, ku fokusi kryesor vijon të qëndrojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një takim të zhvilluar me strukturat drejtuese të Prokurorisë së Përgjithshme ditën e Hënë (06.01.2014), z. Llalla kërkoi që të ushtrohet një kontroll më i thelluar mbi performancën dhe cilësinë e hetimeve nga ana e prokurorëve në të gjithë Republikën e Shqipërisë.
Duke bërë një analizë të përmbledhur të aktivitetit të prokurorisë gjatë vitit 2013, z. Llalla u shpreh se “konstatohet një rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës, gjë e cila obligon çdo prokuror që të impenjohet më shumë në aktivitetin profesional”.
Për vitin 2014, Prokurori i Përgjithshëm kërkon nga Drejtoria e Inspektimit që të përfshijë në programet e kontrollit një numër të madh prokurorish në rrethe dhe Apel, me qëllim për të vlerësuar punën e të gjithë strukturës në një kohë sa më të shpejtë. “Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë për puën e prokurorisë dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme duhet t’u japë zgjidhje sa më të shpejtë çdo ankese apo shqetësimi të qytetarëve për punën e prokurorëve”, theksoi z. Llalla
Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm i dha porosi të veçantë Drejtorisë së Hetimit që të angazhohet maksimalisht në përmbylljen e hetimeve të çështjeve të nisura gjatë vitit 2013, duke vënë theksin, “sidomos tek ato çështje që kanë një impakt në opinionin publik”.
Drejtoria Gjyqësore, e cila përfaqëson akuzën në emër të shtetit në shkallën më të lartë të gjyqësorit, ka si detyrë prioritare gjatë vitit 2014, krahas të tjerave, angazhimin për bindjen e Gjykatës së Lartë në nxjerrjen e vendimeve unifikuese, të cilat do të standartizojnë praktikën për trajtimin e njëjtë të rasteve të ngjashme. Për Prokurorin e Përgjithshëm, “unifikimi i praktikës gjyqësore do të jetë ndihmesë e rëndësishme përsa i përket racionalizimit të kohës dhe burimeve njerëzore në hetim dhe gjykim”.
 
Lidhur me ndryshimet e pritshme gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm e vuri theksin te disa lloje veprash penale, të konsideruara “të reja”, ku veçoi krimin kibernetik, për të cilin duhen kapacitete të afta për t’i hetuar. “Vlerësohet shumë e nevojshme afrimi pranë organit të prokurorisë të personave që kanë njohuri të posaçme në fushën kibernetike për të zhvilluar hetime të plota dhe komplekse lidhur me ndërhyrjet në sistemet e bankave dhe të institucioneve publike. Për këtë arsye, shumë shpejt pranë Prokurorisë së Përgjithshme do të ndërtohet një strukturë e posaçme lidhur me këto vepra penale”, theksoi z.Llalla.
Po ashtu, shtim kapacitetesh profesionale është parashikuar që të realizohen edhe në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, strukturë e cila ka rritje të volumit të punës lidhur me ekstradimet dhe letër-porositë me autoritetet e huaja, si edhe afrim i resurseve njerëzore në nivelin e ekspertëve të fushave të ndryshme. “Konstatohet se është e nevojshme që ekspertë autoteknikë, kontabël, etj., të jenë pjesë e institucionit të prokurorisë. Kjo lëvizje pritet të japë rezultate më të shpejta dhe më pozitive në hetimin e rasteve që kanë nevojë për cilësi të lartë profesionale”, përfundoi Prokurori i Përgjithshëm.
 

Tiranë më 06.01.2014