Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm: Prokuroria e Apelit, kontroll më rigoroz ndaj Prokurorive të Rretheve Gjyqësore

 Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon nga prokurorët e Apelit të ushtrojnë një kontroll më rigoroz ndaj materialeve që u referohen prej prokurorive të rretheve gjyqësore, me qëllim forcimin e politikës penale në Shqipëri.

 Për Prokurorin e Përgjithshëm, konstatohet se ka raste të apelimeve të paargumentuara nga ana e prokurorive të shkallës së parë, gjë e cila ndikon në rritjen e pajustifikuar të volumit të punës së prokurorive të Apelit. Për këtë arsye, z. Llalla, kërkon nga drejtuesit dhe prokurorët e nivelit të mesëm që të jenë kontrollues të drejtëpërdrejtë të punës së prokurorëve të nivelit më të ulët dhe për çdo problematikë të raportojnë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Këtë rekomandim, z. Llalla e shprehu gjatë një takimi të zhvilluar ditën e Premte (25.10.2013) me drejtues dhe prokurorë të Prokurorive të Apelit në gjithë Shqipërinë.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm, " rastet kur konstatohen hetime gjyqësore jo të plota, prokurorët e apelit nuk duhet të përkrahin formalisht apelet e prokurorëve të shkallës së parë, por kur është rasti duhet të kërkojnë përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, rimarrjen e provave ose marrjen e provave të reja ".

 Më tej, z. Llalla theksoi se, duke mbajtur parasysh kriteret e veçanta të parashikuara në nenin 230 të Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masës së sigurimit "arrest në burg", " prokurorët e apelit të përkrahin apelet e prokurorëve të shkallës së parë dhe të ushtrojnë rekurs ndaj vendimeve të gjykatës vetëm në rastet e veprave penale dhe personave nën hetim me rrezikshmëri të theksuar shoqërore.

Kur konstatojnë apele të prokurorëve të shkallës së parë të pambështetura në ligj, prokurorët e apeleve, përveç heqjes dorë nga apeli, duhet të informojnë edhe Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme për pabazueshmërinë e apeleve të prokurorëve të shkallës së parë".

 Krahas, rekomandimeve, Prokurori i Përgjithshëm shprehu " vlerësimin për punën që po kryejnë prokurorët e Apelit në përfaqësimin dinjitoz të akuzës në emër të shtetit para institucioneve të drejtësisë, duke u përballur në mënyrë të vazhdueshme me shkelësit e ligjit, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre". Nga statistikat e paraqitura në Prokurorinë e Përgjithshme konstatohet se ka një shtim të çështjeve që trajtohen nga prokuroritë e Apelit, si edhe një rritje cilësore të materialeve që prezantohen si në Gjykatën e Apelit, por edhe rekurset në Gjykatën e Lartë.

 

Data: 25.10.2013