Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm Znj. Arta Marku mori pjesë në tryezën e rrumbullakët, “Mbi rezultatet e gjetjeve nga monitorimi i organeve të reja të drejtësisë”, realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Prokurori i Përgjithshëm Znj. Arta Marku mori pjesë në tryezën e rrumbullakët, “Mbi rezultatet e gjetjeve nga monitorimi i organeve të reja të drejtësisë”, realizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Përshëndetje
Ju falenderoj për ftesën.

Ndihem me të vërtetë e nderuar që jam pjesë e kësaj tryeze dhe që marr pjesë në një diskutim që në fakt na prek të gjithëve. Siç e dini, që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese fillimisht, dhe më pas miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjeve kryesore pjesë e paketës së reformës në drejtësi e deri në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, kaloi një kohë relativisht e gjatë, prej rreth 2 vitesh.

1. Gjatë kësaj kohe, u krijuan komisionet që do të bënin rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe, pas disa muajsh filluan funksionimin.

2. Filloi procesi i rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët që kishin aplikuar për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë e Prokurorisë apo, si rezultat i shortit, ishin bërë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

3. Sapo ky proces mbaroi dhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u dërguan listat me prokurorët dhe gjyqtarët që kishin kaluar me sukses procesin e rivlerësimit, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm, u thirrën Mbledhjet e Përgjithshme të gjyqtarëve dhe prokuorëve për të zgjedhur anëtarët gjyqtarë dhe prokurorë të Këshillave. Të dyja mbledhjet u realizuan me sukses dhe nuk pati ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

4. Kështu, pak ditë pas mbledhjes, në fund të Dhjetorit  2018, Këshillat u krijuan dhe filluan të funksionojnë, duke shënuar kështu ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të para, të reja të drejtësisë.

5. Që nga 1 Janari i këtij viti, ka filluar funksionimin Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Drejtësi, dhe kanë filluar procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë e Drejtësisë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që çdo reformë merr kohën e saj për t’u implementuar, aq më tepër kur është rrënjësore, siç është në fakt reforma në drejtësi.
Të gjitha institucionet e reja që janë ngritur kanë marrë kohën e tyre deri në fillimin e funksionimit, por kjo fazë tashmë është kapërcyer dhe Këshillat janë në fazën e përzgjedhjes së kandidateve për SPAK dhe për Gjykatën kundër Korrupsionit.

Së shpejti do të kemi edhe Gjykatën Kushtetuese funksionale, pa të cilën nuk mund të kuptohet ekzistenca e një shteti ligjor.
Rëndësi shumë të madhe paraqet edhe përzgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pa të cilin nuk mund të kuptohet funksionimi i sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë. Mekanizmat e kontrollit disiplinor janë një garanci në funksion të një veprimtarie të përgjegjshme të funnksioneve të sistemit të drejtësisë.

Mungesa e ILD dhe boshllëku ligjor i krijuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar të gjitha dispozitat që percaktonin se cilat sjellje të magjistratëve përbënin shkelje disiplinore, kanë qenë një handicap gjatë gjithë kësaj periudhe të implementimit të reformës në drejtësi.

Të gjitha këto janë konstatime të bëra jo nga dikush që në distancë vëzhgon mënyrën se si po funksionojnë institucionet e reja të drejtësisë dhe i gjithe sistemi i drejtësisë, janë konstatime të bëra duke qenë pjesë e sistemit, duke prekur përditë problematikat e krijuara.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, një rol të veçantë në funksionimin e sistemit të prokurorisë ka patur Prokurori i Përgjithshëm, që përveç kompetencave të zakonshme, ka patur edhe disa kompetenca të përcaktuara me një dispozitë tranzitore deri në krijimin e KLP-së dhe vazhdon të ketë kompetenca për të kryer hetim disiplinor deri në krijimin e ILD-së.

Pra, pavarësisht se KLP-ja ende nuk ishte krijuar, vlerësimi i prokurorëve në funksion të Organeve të Vettingut, është bërë nga Prokurori i Përgjithshëm dhe stafi i tij. Po kështu, prej Prokurorit të Përgjithshëm janë kryer caktime të përkohëshme të prokurorëve dhe të drejtuesve të prokurorive sipas nevojave. Me krijimin e KLP-së, këto kompetenca janë ekskluzive të këtij Këshilli.

Për ta mbyllur, mendoj se si institucionet ekzistuese, si ato të rejat, kanë rolin e tyre thelbësor në funksionimin e mekanizmit të reformës në drejtësi, dhe nuk mund të funksionojnë të shkëputura nëse synojnë të kenë një veprimtari të suksesshme.

Ju falenderoj për vëmendjen.