Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i KLSH diskutojnë prioritetet e përbashkëta

 

Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i KLSH diskutojnë prioritetet e përbashkëta

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim të veçantë kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), z. Bujar Leskaj, ku diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta të dy institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe veprave të tjera penale që lidhen me ushtrimin e detyrave nga funksionarët publikë.

Z. Llalla garantoi z. Leskaj se organi i prokurorisë do të ndjekë me vëmendje të veçantë çdo rast të referuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si edhe do të bashkëpunojnë ngushtësisht për të ndjekur dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar që abuzon me pushtetin publik.

Nga ana e tij, Kryetari i KLSH, z. Leskaj, duke e uruar Prokurorin e Përgjithshëm për zgjedhjen në detyrë, shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për koordinim të vazhdueshëm me organin e prokurorisë për të luftuar bashkërisht dhe me forcën e ligjit korrupsionin në administratën shtetërore.

Në takim u diskutua edhe mbi rastet konkrete të referuara nga KLSH në organin e Prokurorisë gjatë muajit Janar 2013. Për të gjitha këto raste, rreth 35 në total, prokuroritë e rretheve gjyqësore tashmë kanë nisur hetimet dhe brenda afateve ligjore proceduriale do të vlerësohet mbi këto çështje.