Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm diskuton në Korçë dhe Elbasan forcimin e Kodit Penal

Prokurori i Përgjithshëm diskuton në Korçë dhe Elbasan forcimin e Kodit Penal

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka diskutuar në Korçë dhe Elbasan mbi ndryshimet në Kodin Penal, të cilat morën fuqi ligjore ditën e sotme.

Në bazë të amendimeve të miratuara pak javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë janë ashpërsuar disa dispozita ligjore, sidomos ato që kanë lidhje me krimin në familje, gjakmarrje, si edhe krime ndaj zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike.

Në këto takime, të zhvilluara të Mërkurën, dt. 05.06.2013, z. Llalla prezantoi edhe drejtuesin e ri të komanduar të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, z. Ferdinand Elezi, i cili deri më tani ka ushtruar funksionin e Prokurorit pranë Prokurorisë së Apelit Durrës. Z. Elezi zëvendësoi në funksion z. Përparim Vukaj, i cili do të vijojë funksionet e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Tiranë.

Gjithashtu, u prezantua edhe drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, z. Gentian Osmani, i cili ka ushtruar funksionet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Njësia Task-Force. Ai zëvendëson në këtë detyrë z. Elvin Gogaj, i cili komandohet drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Për ndryshimet në stafin drejtues të prokurorisë, z. Adriatik Llalla u shpreh se është zbatim i prioritetit të tij për rifreskimin e strukturës. Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi gjithashtu mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve për idenë e tij të riorganizimit.“Drejtuesit e njësive të ndryshme të strukturës nuk mund të qëndrojnë gjatë në funksion në të njëjtën njësi territoriale. Për këtë arsye, gjykoj se lëvizja e kuadrit drejtues do t’i shërbejë rivitalizimit të funksioneve të institucionit” u shpreh z. Llalla.

Data: 05.06.2013