Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Adriatik Llalla, takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Turqisë, z. Mehmet Akarca

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë, z. Mehmet Akarca, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Z. Akarca gjendet në Tiranë, me ftesë të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila organizon një Konferencë Ndërkombëtare me praninë e Prokurorëve të Përgjithshëm të rajonit e më gjerë, me temë “Qasjet e reja hetimore ndaj organizatave kriminale që përdorin internetin”.

Z. Llalla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet turke në luftën kundër krimit të organizuar dhe, në veçanti, trafikut të lëndëve narkotike.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë i sugjeroi homologut të tij turk mundësinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila do t’i shërbejë shkëmbimit në kohë reale të të dhënave hetimore për çështje me interes të përbashkët.

Gjatë takimi, Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, z. Akarca, i konsideroi shumë të rëndësishme raportet me autoritetet shqiptare dhe garantoi se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë të forcohet edhe në të ardhmen.

Zoti Akarca foli gjithashtu për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, nisur nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Europë.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë e konsideroi shumë të rëndësishme luftën e përbashkët kundër sfidave të karakterit ndërkombëtar. Z. Llalla i prezantoi homologut të tij turk masat e marra nga ana e autoriteteve shqiptare, si edhe theksoi faktin se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, z. Akarca kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 Korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri.