Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, mbështetje për prokurorët me integritet

Prokurori i Përgjithshëm, mbështetje për prokurorët me integritet

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla siguroi kreun e Shoqatës së Prokurorëve, z. Shkëlqim Hajdari, se do të jetë promovues i të gjithë prokurorëve që dëshmojnë gjatë punës së tyre integritet moral dhe profesional.

Në këtë takim, i cili u zhvillua vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, z. Llalla garantoi Shoqatën dhe nëpërmjet saj të gjithë trupën e prokurorëve, se do të zbatohet me korretesë maksimale sistemi i vlerësimit të punës së çdo punonjësi dhe arritjet pozitive do të jenë i vetmi faktor për ngritjen në detyrë të tyre.

Ky angazhim u prezantua nga z. Llalla edhe gjatë shqyrtimit të kandidaturës së tij në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të jetë objektiv i vazhdueshëm gjatë të gjithë mandatit të tij në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

Nga ana e tij, kreu i Shoqatës së Prokurorëve, z. Hajdari, e vlerësoi zgjedhjen e Kuvendit të Shqipërisë në emërimin e z. Llalla si një veprim pozitiv, duke pasur parasysh faktin që drejtuesi i ri vjen në krye të institucionit pas një karriere të ngjitje në krye të disa prokurorive të Shqipërisë.

 

Data: 21.02.2013