Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm në Shkodër: Luftë fenomenit të gjakmarrjes

Prokurori i Përgjithshëm në Shkodër: Luftë fenomenit të gjakmarrjes


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka diskutuar ditën e sotme në Shkodër mbi gjendjen e kriminalitetit, duke u fokusuar sidomos tek fenomeni i gjakmarrjes dhe roli i institucionit për parandalimin dhe zbutjen e veprave të rënda penale të hakmarrjes.

Gjatë takimit për prezantimin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, z. Besnik Cani, i cili më parë drejtonte prokurorinë e Fierit, z. Llalla ka kërkuar “impenjim më të madh nga ana e stafit jo thjesht në evidentimin dhe ndëshkimin e fenomenit të gjakmarrjes, por më së pari për marrjen e një roli më aktiv në ndërgjegjësimin e popullsisë së prekur nga ky fenomen që t’u shmangen veprimeve kriminale të kësaj natyre”.

Gjithashtu, z. Llalla kërkoi edhe forcimin e bashkëpunimit me strukturat lokale të Policisë së Shtetit, si edhe angazhim maksimal për mbledhjen e fakteve me qëllim vendosjen para drejtësisë të personave të përfshirë në akte kriminale.

Takimi në Shkodër është në vijim të takimeve që Prokurori i Përgjithshëm ka zhvilluar gjatë kësaj jave në Mat, Lezhë, Berat dhe Fier, nëpërmjet të cilave është synuar rifreskimi dhe rivitalizimi i funksionimit të prokurorive të rretheve gjyqësore.

 

Data: 05.04.2013