Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me Avokatin e Popullit të Greqisë

 

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka kërkuar mirëkuptimin e Avokatit të Popullit të Republikës së Greqisë, znj. Calliope Spanou, për të vijuar me angazhimin maksimal në respektimin e të drejtave të njeriut të shtetasve shqiptarë në vendin e saj, sidomos për ata persona që gjenden në kushtet e paraburgimit dhe burgimit.

Në një takim të zhvilluar ditën e Martë (15.07.2014) me znj. Spanou, e cila gjendet në Tiranë me ftesë të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Greqisë në Tiranë, z. Leonidas Rokanas, Prokurori i Përgjithshëm ka vlerësuar angazhimin e Ombudsman-it grek për reagimin e mënjehershëm që ka prezantuar në çështje të ndryshme që kanë pasur si të dëmtuar shtetas shqiptarë.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit diskutuan për rolin dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura në forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë, duke u fokusuar kryesisht në Kapitullin 23 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Data 15.07.2014