Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me Grupin e Monitorimit të Komisionit Europian

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka vendosur theksin te nevoja e asistencës logjistike të projekteve të Bashkimit Europian për të luftuar krimin kibernetik.

Në një takim me Grupin e Monitorimit të Komisionit Europian, i cili drejtohej nga Prof. Alessandro Simoni, z. Llalla vlerësoi angazhimin e deritanishëm të misionit PAMECA në mbështetje të Prokurorisë Shqiptare, si edhe kërkoi angazhimin e mëtejshëm të ekspertizës së tyre për hetimin e krimeve financiare, të lidhura me sistemet kompjuterike.

Grupi i Monitorimit i Komisionit Europian gjendet në Tiranë për të vlerësuar efektshmërinë e projekteve të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe ditën e Hënë (dt. 18.01.2016), zhvilluan një takim në Prokurorinë e Përgjithshme, institucion që është përfitues i drejtëpërdrejtë i asistencës së PAMECA-s.

Përfaqësuesit e PAMECA-s në takim risollën në vëmendje objektin e përgjithshëm të misionit në Shqipëri, i cili konsiston në përafrimin e kapaciteteve ligjzbatuese të institucioneve shqiptare më pranë standardeve të BE-së. Ndër objektivat specifikë të projektit janë përmirësimi i kapacitetet organizative, administrative, teknike dhe të menaxhimit të burimeve të Policisë së Shtetit Shqiptar” dhe “të përmirësohet puna e strukturave të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe bashkërendimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe agjencitë e tjera përkatëse.  

Z. Llalla, gjatë takimit, e konsideroi krimin kibernetik një sfidë të rëndësishme të Prokurorisë Shqiptare, pasi hetimi në këtë drejtim ndihmon në parandalimin dhe goditjen e veprave penale të mashtrimit kompjuterik, krimeve financiare, por edhe të krimeve të rënda, autorët e dyshuar të të cilave tentojnë të koordinohen nëpërmjet pajisjeve teknologjike.