Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me Koordinatorin e Departamentit të Shtetit për Antikorrupsionin në Europë

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, diskuton me përfaqësuesin e lartë të Departamentit të Shtetit për Antikorrupsion, z. George Kent, mbi rritjen e efikasitetit të agjencive hetimore në luftën kundër abuzimit me pushtetin publik

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, diskutoi mbi përmirësimin e mëtejshëm të metodave të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri me z. George Kent, Koordinatorin Kryesor në Byronë Anti-Korrupsion të Europës i Departamentit të Shtetit.

Z. Kent, i cili ishte i shoqëruar nga z. Don Brown, Oficer Ekonomik dhe Tregtar në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe përfaqësues të misionit OPDAT, u njoh nga z. Llalla mbi hapat e ndërmarra nga prokuroria shqiptare lidhur me veprat penale të abuzimit financiar nga zyrtarët publikë. Duke e vlerësuar si prioritetin kryesor të prokurorisë shqiptare luftën kundër korrupsionit, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “janë realizuar ndryshimet e nevojshme strukturore për rritjen e efikasitetit në këtë drejtim. Hetimet kundër korrupsionit koordinohen dhe drejtohen nga një Drejtori e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, është krijuar edhe Sektori kunder Korrupsionit dhe Hetimeve Pasurore pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si edhe Sektori i Krimit Kibernetik në Prokurorinë e Përgjithshme”.

Gjithashtu, z. Llalla foli edhe “për përmirësimin e mjeteve të kërkimit të provave në rastet e hetimeve për korrupsion, me fokus të veçantë përdorimin e metodave special të hetimit”.
Duke e vlerësuar transparencën institucionale si një mjet efikas për platformën antikorrupsion, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi në takim se “sot, institucioni i Prokurorisë është i arritshëm nga kushdo, ku shqyrtohen dhe gjejnë zgjidhje në mënyrë të vazhdueshme ankesat dhe problemet e qytetarëve”.

Z. Kent theksoi nga ana e tij rolin e rëndësishëm të prokurorisë në luftën kundër korrupsionit. Zyrtari i lartë amerikan vlerësoi forcimin e strukturave speciale të hetimit kundër korrupsionit, siç janë Njësitë Task-Force pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore dhe pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Z. Kent shprehu gatishmërinë për ndihmesën për strukturat hetimore shqiptare me anën e trajnimeve, programeve dhe logjistikë.

Koordinatorin Kryesor në Byronë Anti-Korrupsion të Europës i Departamentit të Shtetit, z. Kent, ka qenë këto ditë në Tiranë, i ftuar në konferencën mbi “Luftën ndaj korrupsionit”, të organizuar nga Qendra George C. Marshall.

 

Data 26.09.2014