Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me “LEAD-ALBANIA”

Prokurori i Përgjithshëm pret në takim përfaqësues të “LEAD-ALBANIA”, një grup të rinjsh shqiptarë, të përzgjedhur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, ku u diskutua mbi rolin e institucionit në proceset integruese të Shqipërisë

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, zhvilloi një bisedë interesante mbi çështjet aktuale që janë në qendër të aktivitetit institucional, me përfaqësues të “LEAD-ALBANIA”, një grup të rinjsh shqiptarë, profesionistë dhe të talentuar, të cilët janë përzgjedhur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Prokurori i Përgjithshëm u prezantoi në vija të përgjithshme pozicionin kushtetues të  institucionit, si edhe raportet korrekte me pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Përfaqësuesit e “LEAD-ALBANIA”, të cilët tashmë janë pjesë e stafeve drejtuese dhe këshillimore në institucione si Presidenca, Kryeministria, Ministritë, Banka e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës, shfaqën një interes të veçantë lidhur me hetimet e ndërmarra nga organi i Prokurorisë, kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, në fokus të diskutimeve ishte edhe opinioni i Prokurorisë mbi reformën në drejtësi dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për forcimin e ndjekjes penale në Shqipëri.

Për z. Llalla, ky takim u vlerësua i rëndësishëm, pasi nëpërmjet bisedës u arrit të krijohet një ide më e qartë për perceptimin mbi Prokurorinë që ka opinioni elitar, i përfaqësuar nga grupime si “LEAD-ALBANIA”, të cilët kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të qenë në një të ardhme të afërt në pozicione drejtuese në administratën e lartë shtetërore.

Programi “LEAD-ALBANIA” është konceptuar bazuar në Programin e Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin (Ëhite House Felloës Program) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë nëpëmjet një përvoje njëvjeçare, që e vendos përfituesin në një pozicion shumë të lartë në institucione shtetërore.

Data 18.07.2014