Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon rritjen e cilësisë së hetimit nga ana e prokurorëve të të gjitha niveleve, por duke theksuar aktivitetin kryesisht të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore në të gjithë Shqipërinë. 

Gjatë një takimi të zhvilluar me drejtuesit e këtyre strukturave ditën e enjte (05.12.2013), z. Llalla evidentoi faktin se, gjatë vitit 2013 ka pasur një rritje të volumit të punës, e cila në disa raste ka sjellë edhe problematika të ndryshme gjatë ushtrimit të funksioneve të prokurorëve.

Duke u fokusuar në rastin e publikuar në media gjatë aktivitetit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se “nuk do të tolerohet asnjë rast dhe do të merren të gjitha masat e nevojshme disiplinore nëse konstatohen shkelje ligjore gjatë përmbushjes së detyrave”.

Nga ana tjetër, z. Llalla u prezantoi drejtuesve të prokurorive të rretheve gjyqësore edhe konstatimet pozitive të bëra publikisht për aktivitetin e prokurorisë nga ana e Komisionerit Evropian për Zgjerimin, z. Stefan Fule, në letrën e dërguar prej tij në adresë të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, ku u rekomandonte dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE Shqipërisë.

Duke u rikthyer te problematika e hasur gjatë vitit 2013, z. Llalla theksoi se “janë konstatuar, gjatë kontrolleve, disa raste të vonesave të pajustifikuara gjatë shqyrtimit të dosjeve hetimore. Pavarësisht se rastet e evidentuara kanë qenë sporadike, për çdo prokuror kanë nisur procedimet disiplinore. Procedime të tilla do të vijojnë për çdo që faktohet se vonesat janë të pajustifikuara”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.

Lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional, z. Llalla kërkoi nga të gjithë drejtuesit e prokurorive të intensifikojnë raportet me Policinë e Shtetit dhe me agjencitë e tjera, sidomos përsa i përket çështjeve që lidhen me veprime korruptive në administratën publike.

Tiranë më 05.12.2013