Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim me gjyqtarin amerikan Paul Magnuson

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, priti në një takim kortezie gjyqtarin amerikanë, Paul Magnuson, gjyqtar në shtetin Minessota, i cili shoqërohej nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, zhvilloi një takim kortezie me juristin e njohur amerikanë, mik të Shqipërisë, z. Paul Magnuson, gjyqtar në shtetin Minessota, i cili gjendet në vendin tonë, i ftuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, të marrë pjesë në Konferencën Gjyqësore Kombëtare.

Z. Llalla, në takimin e zhvilluar ditën e Enjte, (dt. 17.04.2014) i prezantoi juristit amerikan rolin e prokurorisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm shpjegoi edhe aktivitetin e institucionit në kuadër të kriminalitetit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin me agjencitë homologë.

Për prokurorinë shqiptare, sfida kryesore është dhe vijon të jetë lufta kundër korrupsionit. Duke e cilësuar këtë çështje si një sfidë madhore të Shqipërisë për integrimin në strukturat europiane, z. Llalla ndau të njëjtin qëndrim me juristin amerikan se kryefjalë e suksesit është bashkëpunimi ndërinstitucional.

Juristi amerikan Magnuson ka një karrierë shumë të gjerë në fushën e jurisprudencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe një lidhje të shtrirë në kohë me vendin tonë. Ai është emëruar nga Presidenti Amerikan Ronald në vitin 1981 anëtar i gjykatës së distriktit të Minesotës. Në tetor të vitit 1994 deri në shkurt 2002 ka qenë kryetar i gjykatës së distriktit të Minesotës. Aktualisht ushtron detyrën e gjyqtarit pranë kësaj gjykate.

Data 17.04.2014