Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim në Bosnje për krimin rajonal

Lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në planin rajonal është diskutuar ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, z. Adriatik Llalla dhe homologut të tij të Bosnje Hercegovinës, z. Božo Mihajlović gjatë një takimi që po zhvillohet në Sarajevë.
 
Delegacioni shqiptar, i cili gjendet prej dy ditësh në Bosnje, ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal, me qëllim goditjen e disa strukturave kriminale, të cilat operojnë në kufijtë e vendeve ballkanike.
 
Bashkëbiseduesit ranë dakord për nënshkrimin e një Marrëveshje Bashkëpunimi, në të cilën dy vendet tona do të krijojnë njësi të specializuara për të shkëmbyer informacione në kohë reale lidhur me personat dhe mjetet që përdoren për trafikun e lëndëve narkotike, por edhe të armëve.
 
Gjatë vizitës së tij, Prokurori i Përgjithshëm ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë në Bosnje dhe Hercegovinë, në të cilën është diskutuar mbi domosdoshmërinë e intensifikimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në fushën e drejtësisë.

Tiranë më 15.01.2014