Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, takim për aktivitetin 6-mujor të institucionit

Zhvillohet mbledhja e drejtuesve të Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore dhe të Prokurorive të Apelit. Diskutime mbi përmirësimin e aktivitetit institucional

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, zhvilloi një takim me drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorive të Apelit, për të diskutuar mbi problematikat e përballuara në 6-mujorin e parë të vitit 2013.

Në këtë takim, në të cilin referuar edhe drejtuesit e rinj të strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme, z. Llalla prezantoi prioritetet e punës në vijim, nisur nga fakti që pjesa më e madhe e drejtuesve të prokurorive të rretheve tashmë janë ndryshuar.

Prokurori i Përgjithshëm ritheksoi përparësinë e institucionit gjatë mandatit të tij, luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, në frymën e amendimeve të fundit në Kodin Penal, u kërkua nga drejtuesit e prokurorive në nivel lokal që të azhornojnë praktikën e tyre, si edhe të aplikojnë një politikë më të ashpër penale për vepra si krimi në familje, hakmarrja dhe gjakmarrja.

Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm ritheksoi rëndësinë e realizimit të transparencës së institucionit, por, siç theksoi ai “në respektim të plotë të ligjit përsa i përket sekretit hetimor”. 

Gjatë mbledhjes, drejtorët e rinj në Prokurori të Përgjithshme prezantuan planin e tyre për forcimin e aktivitetit institucional, si edhe për përmirësimin e problematikave të hasura deri më tani.

 

Data: 14.06.2013